Nga: Floriar Arapi

Në qytetin e katërt më të madh të Gjermanisë, Koln, në xhaminë qendrore të tij të përfunduar para 5 vitesh në vitin 2017, u dha leje për thirrjen e ezanit nga megafonet. Kjo leje e dhënë këto ditë, ka hapur një debat të madh në të gjithë Gjermaninë, me bazë frikën për islamizimin e Gjermanisë.

Leja është e karakterizuar me rregulla të forta të cilat janë:
– Leja e dhënë është provizore për dy vjet.
– Ezani do të thirret vetëm një herë në javë, ditën e premte, midis orës 12-15.
– Thirrja nuk duhet të zgjasë më shumë se 5 minuta.
– Vëllimi i zërit është i kufizuar, 60 decibel, i cili mund të degjohet maksimumi deri në 100 metra larg xhamisë.
– Thirrja e ezanit, nuk do të buças nga minaret por do të vendosen megafone në oborr.
– Fqinjët rreth xhamisë duhet të njoftohen me fletëpalosje përpara se të thirret ezani.
– Komuniteti duhet të emërojë një person përgjegjës që të trajtojë pyetjet e qytetarëve.

Por si reaguan gjermanët ndaj kësaj lejeje ?

Duke iu referuar DW, e cila bazohej në hulumtimin e Institutit të Opinionit Civey, te porositur nga gazeta Bonner General Anzeinger, 76 % e gjermanëve të pyetur nuk duan ta degjojnë ezanin dhe nuk e shohin atë të barabartë me këmbanat e kishës, kurse 64% nuk duan ta dëgjojnë ezanin “aspak”.
DW vazhdon se 88% e katolikëve e 82% e protestantëve i janë përgjigjur negativisht pyetjes për lejimin e thirrjes së ezanit.

Si reaguan kundërshtarët ?

Kundërshtarët u shprehën se;
Kanë neveri nga thirrja Allahu Ekber dhe irritohen nga ajo.
Ata flasin për humbjen e identitetit gjerman, islamizimin e Gjermanisë dhe një tolerancë të kuptuar gabimisht.
Sociologja Necla Kelek, për gazetën “Bild” tha, se kur thirret “Allahu Akbar” bashkohen burrat që i kanë lënë gratë në shtëpi, gra që nuk duhet të kenë një vend në publik, që sipas burrave të tyre duhet të mbulohen.
Kelek shton se “Edhe terroristët thërrasin Allahu Akbar. Në të vërtetë Allahu Akbar duhet ndërkohë të ndalohet në fjalorin tonë, sepse përdoret nga islamistët, terroristët, atentatorët.”
Lejimi i thirrjes së ezanit për ish-presidentin e Gjykatës Kushtetuese të Landit NRW, Renani-Veriore Vestfali, Miachel Bertram “është një triumf politik i klasit të parë” për Erdoganin.
Për publicistin e Kölner Stadt Anzeiger, Niels Altenmüller “pohimi publik i besimit tek Allahu si “më i madh” dhe “zoti i vetëm”, edhe nëse nuk është e kuptueshme për këdo në arabisht, mund të kuptohet si një pohim agresiv dhe nënvlerësues ndaj besimeve të tjera fetare.”

Kolni ka një popullsi të përbërë prej 15 % muslimanë dhe 46 % të krishterë. Ai ka rreth 35 xhami. Sikurse në të gjithë Gjermaninë, edhe në Koln xhamitë përgjithësisht nuk kanë simbole të dukshme fetare islame. Vetëm 10 për qind e 2800 xhamive që ka Gjermania, kanë simbole fetare, kupolë dhe minare.

Analiza

Nga të dhënat që lexohen më sipër shtangesh, aq sa nuk kuptohet në cilin shekull të Evropës jetojmë.
Pse një fobi kaq e madhe ndaj Islamit ?
A e dinë 76 % e gjermanëve, 88 % e katolikëve dhe 82 % e protestanteve dhe a e dinë evropianët se që prej themelimit të shtetit të parë islam nga profeti Muhamed deri në ditët e sotme, në të gjithë vendet islame nuk është ndaluar asnjëherë këmbana e Kishës.

A e dinë ata se pothuajse e gjithë Lindja e Mesme, Afrika Veriore, Turqia, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, dikur kanë qenë të krishterë dhe sot pas kaq shumë shekujsh pothuajse të gjithë këto shtete vazhdojnë të kenë të krishterë brenda tyre, në perqindje të ndryshme, nga 4-5 % deri në 33 % që ka Libani.

A e dinë se i gjithë Ballkani i sotem i krishterë, Hungaria, Ukraina, Moldavia etj kanë qenë nga 300 (Hungaria) deri në 500 vjet nën shtetin musliman osman dhe asnjëherë nuk iu është ndalur praktikimi i fesë se tyre ?

A e zbatojnë evropianët Konventën Evropiane të të Drejtave te Njeriut ?
Me çfarë standarti mund të krahasohen evropianët që pretendojnë se garantojnë liri dhe të drejta njeriu ?
Të krahasohen me Kinën dhe Birmaninë dhe të themi se janë më mirë se Kina dhe në drejtim të lirive dhe të drejtave fetare.
A nuk është turp i madh të krahasohesh me Kinën për të drejtat e njeriut, kur nga mengjesi deri në darkë flet për të drejtat e njeriut !

Të drejtat e njeriut nuk janë vetëm të drejtat e Lgbt, për të cilat flitet pa pushim. Të drejtat e vërteta të njeriut janë ato që iu drejtohen pakicave fetare dhe kombetare nëpërmjet të cilave garantohet edhe paqja.

Megjithëse rreth 1/6 e popullsisë se Kolnit janë muslimanë, akoma diskutohet a te lejojme të ndertohet xhami apo jo, dhe a të thirret ezani apo jo. Diskutimet dhe tezat e hedhura nuk ndryshojnë nga ato të islamofobëve me patentë.

Duke analizuar një nga një thëniet e tyre mund të themi se;
Thënia; “Neveri dhe irritim nga thenia Allahu Ekber”, është rracizëm, islamofobi dhe intolerancë e qartë. Allahu Ekber dhe La ilahe il-la llah nuk janë fraza të thjeshta por janë baza të fesë islame. Neveria ndaj tyre është neveri ndaj islamit.

Thënia “Frikë nga islamizimi i Gjermanisë”. A nuk është kjo islamofobi dhe intolerancë ! Po pse kur të vijnë njerzit në Gjermani duhet të ndryshojne fenë ?!

Thënia “Bashkohen burrat dhe lënë gratë në shpi”.
Kjo është e pavërtetë, xhamia nuk ka qenë kurrë vetëm për burrat, në xhami vijnë edhe burrat edhe gratë por adhurimet kryhen të ndara, për shkak që njerzit të jenë të përqendruar tek adhurimi, jo te gratë, ose e e anasjellta.

Thënia; “ të thënurit Allahu ekber është gjuha e terroristëve”. Kjo është implikim dhe barazim me terrorizmin të fesë islame, është urrejtje dhe dashakeqësi. Terroristët bëjnë shumë veprime që i bëjnë pjesa tjetër e popullsisë, psh terroristët falen, hanë bukë, flenë gjumë, kjo sdo të thotë që njerzit e tjerë mos ti bëjnë keto veprime.

Thënia; “Triumf politik i klasit të parë i Erdogan”. Vërtetë që kjo mund të jetë fitore politike e Erdogan, po pse Evropa e ka katandisur veten në këtë pikë? Kjo ndalesë nuk duhet të egzistonte aspak. Liria fetare është e drejtë themelore që duhej të garantohej, pa ndërhyrje politike të Erdogan apo te dikujt tjetër dhe në këtë mënyrë nuk do mund të kishte triumf politik të Erdoganit.

Thënia; “Pohimi publik i besimit tek Allahu si “më i madh” dhe “zoti i vetëm”, mund të kuptohet si një pohim agresiv dhe nënvlerësues ndaj besimeve të tjera fetare.”
Fjala Allah nuk është fjalë eskluzive e muslimanëve, fjala Allah është e njëjtë edhe tek të krishterët. Dhjetëra milionë të krishterë arabë e përdorin fjalën Allah. Allahu ose Zoti, është i njëjtë tek të krishterët, muslimanët dhe hebrenjtë. Që Zoti është më i madhi dhe që është një, është e pranuar tek të tre fetë monoteiste, megjithë filozofinë e krishterë për trinitetin, përndryshe nuk do te quheshin fe monoteiste.

Në fakt të gjitha këto teza, qartazi të pabazuara, fshehin pas intolerancën por edhe islamofobinë evropiane fatëkeqsisht në nivele te larta. Toleranca dhe bashkejetesa, të drejtat dhe liritë fetare, megjithëse trumpetohen fuqishëm në Evropën perëndimore kontinentale, pothuajse nuk vlejnë ose vlejnë shumë pak për muslimanët. Të drejtat dhe liritë fetare publike zgjaten dhe vlejnë defakto vetëm midis feve të krishtera, katolikëve dhe protestatëve, apo edhe ortodokseve.

Megjithatë, megjithë këtë tension dhe debat, ezani filloi të thirret dhe kjo është një hap i madh përpara, në luftën ndaj zymtësisë së ekstremizmit dhe intolerancës në Evropë.

Evropianët duhet të kuptojnë se muslimanët që shkojnë në Evropë nuk kërkojnë asgjë më tepër seç u japin bashkëqytetarëve të tyre të krishterë në vendet e tyre.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re