Ashtu sikundër lajmëruan një ditë më parë, këtë të shtunë invalidët e punës në Elbasan hynë në grevë urie.
Ata shprehen se ndihen të harruar dhe të diskriminuar, ndërsa ngrenë shqetësimin se pagesa që u takon për kategorinë e tyre sociale, është hequr.
Në kushtet e rritjes së çmimeve para dhe tetraplegjikët, kërkojnë paketa ndihmëse për të lehtësuar gjendjen financiare.
Sekretari i shoqatës së Invalidëve Skender Sallaku thotë se janë bërë të gjitha përpjekjet dhe se greva është mundësia e fundit për të marrë të drejtat që u takojnë.
Sipas ligjit, personat me dëmtime definitive, pa perspektivë përmirësimi të gjendjes shëndetësore deklarohen invalidë të përjetshëm dhe nuk duhet të paraqiten pranë Komisionit Mjekësor Epror.
Por një vendim qeverie e detyron këtë kategori që të dalë në komision, për kontrolle të vazhdueshme mjekësore.
Nga ana e saj, ministria e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale nuk ka bërë asnjë reagim lidhur me kërkesat e invalidëve dhe as për grevën e urisë.