Delina Zaimi 

Gjashtë vitet e fundit qeveria shqiptare ka bërë jo pak përpjekje për ta rikthyer në binarët e normalitetit, me aq sa mundet, situatën skandaloze me grabitjen e pronave në vend. Ajo ka ngritur një Task Forcë të Posaçme për trajtimin e rasteve të pronave të grabitura në bregdet, nga Jugu në Veri, nga banda famëkeqe zyrtarë dhe mashtrues, apo sekserë të rëndomtë. Shumë të tillë kanë përfunduar këto vite pas hekurave, apo janë në hetim, që nga Rana e Hedhun e Shëngjinit, duke kaluar nga Gjiri i Lalzit në Shqipërinë e Mesme, e deri në Dhërmi në Jug të vendit. Por nuk kuptohet pse goditja e organit të Akuzës ka ngecur pak nën Qafën e Llogarasë dhe nuk është shtrirë më tej, deri në skajin më jugor të vendit, Sarandën e Ksamilin, që mbartin potenciale të mëdha zhvillimore për turizmin.

Në zonën e Berdeneshit pranë Ksamilit, ku ka dokumenta në Arkivën Qëndrore të Shtetit, që datojnë nga koha e Mbretit Zog, dhe ku kishte një harmoni të plotë mes shtetit dhe disa familjeve gjirokastrite (që kishin tradita historike tregtie me zonën) në zotërimim e ligjshëm pronësor të kullotave buzë detit të këtushëm, pas rënies së komunizmit, KÇK-ja e veshur me petkun e gjyqtarëve, të mashtruesve, falsifikatorëve e sekserëve, ka bërë hatanë, e pashqetësuar për tri dekada me radhë.

Tani pritet të shihet në se një rast edhe më flagrant do të zgjidhet nga Drejtësia apo Vettingu, në të njëjtën zonë, pak a shumë me të njëjtët protagonistë.

Në rastin e grabitjes së pronës në Berdenesh, Avokatura e Shtetit i kishte paraqitur Gjykatës së Shkallës së Parë në Sarandë një provë dërmuese, një pseudodokument të vitit 1996 të Hipotekës Delvinë, me të cilin e ka përfituar pa të drejtë Kryegjyshata këtë pasuri të paluajtshme, në kundërshtim me çdo ligj, pasi ai nuk përmbante as numrin e indeksit të ri, ku është regjistruar prona e përfituar, as numrin e librit hipotekor, ku është kryer regjistrimi i transaksionit. Por Gjykata, që duhet të gjykonte mbi prova dhe jo mbi hamendësime, doli në konkluzionin haluçinant dhe hamendësues: “…nuk janë të rralla rastet e gabimeve të nëpunësve të shtetit në përpilimin e akteve juridike të caktuara… Verifikimi i mangësive nuk mund të çojë në konkluzionin se dokumenti është i falsifikuar” – thotë Gjykata. 

Kjo Gjykatë nuk mori parasysh një element tjetër të falsifikimit flagrant: faktin që dokumenti në fjalë ishte lëshuar më 04.02.1996, që binte ditë e dielë, pra ditë pushimi zyrtar për institucionet, gjë të cilën falsifikatorët injorantë nuk e kishin menduar.

 

Nga 350 hektarë tokë në Berdenesh, 113 janë të vjedhura

Po ç’po ndodh me rastin skandaloz që trajtojmë në këtë investigim?

Në 350 hektarë tokë që ishin regjistruar në pronësi të disa familjeve gjirokastrite në Berdenesh që nga koha e Mbretit Zog, kur këtyre të fundit u ishin shitur kullotat me akt noterial që ndodhet edhe sot në Arkivat e Shtetit nga beu i madh i zonës Avni Bej Delvina, 113 hektarë të kësaj toke sot rezultojnë të vjedhura. Një pjesë e mirë nga Kryegjyshata Botërore pjesa tjetër nga Dizdarët.

Pas falsifikimeve të panumërta, ata kanë arritur të vënë në emër të tyre një pronë prej 69.05 hektarësh, më konkretisht një kullotë e ndodhur në Berdenesh të Sarandës,  e kufizuar nga Lindja dhe Veriu me Pjesën e Kullotës së Teqesë së Zallit; Jugu dhe Perëndimi me Detin, regjistruar me numër hipotekor 3, fq 30, ind.nr. 148 dt. 10.12.2007, pjesë e zonave Kadastrale 2297 Ksamil dhe 1430 Berdenesh Sarandë, në emër të Trashëgimtarëve të Ilmi Dizdarit.

Avokatura e Shtetit për këtë pronë i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, duke kërkuar pavlefshmërinë e akteve juridike të regjistrimit të saj dhe goditjen për falsifikimin e vërtetimit të Pronësisë datë 9.2.1996, lëshuar nga Hipoteka Delvinë, si dhe Vërtetimin e Pronësisë së lëshuar nga ish-zyra e Hipotekës Delvinë më 04.02.1996, e njëjta hipotekë famëkeqe dhe e njëjta datë, po ashtu famëkeqe, kur kjo hipotekë kishte vërtetuar një pronë te ngjashme në favor të Kryegjyshatës Bektashiane, nëpërmjet falsifikimit trashanik qe nuk kishte marrë parasysh se data 4 shkurt 1996 ishte ditë e dielë, nga ata që e kishin bërë faksifikimin shumë vite më pas dhe që nuk kishin patur aq tru sa të hidhnin një sy në retrospektivë. Avokatura e Shtetit i kërkoi Gjykatës, po ashtu, hedhjen poshtë si falsifikim të Notës së Transkriptimit të lëshuar në datën 25.09.1940, në favor të z. Ilmi Shyqyri Dizdari, kundër z. Shyqyri Myrteza Dizdari.

Avokatura e Shtetit ka dhënë argumenda mjaft bindës dhe prova se përse këto dokumenta janë të falsifikuara si më poshtë vijon:

–          Nuk ka asnjë mundësi reale që e njëjta pronë, konkretisht, kullota prej 700 stremësh, në pronësi të Myrteza Dizdarit nga të cilat 100 strem janë në bashkënpronësi me Bektash Avdi Qesko, të rezultojë e regjistruar në emër të Bektash Qesko në dy radhorë transkriptimesh, në dy vite të ndryshme: në vitin 1933 (sipas Vërtetitmit të datës 09.02.1996, të ish-zyrës së Hipotekës Delvinë) dhe në vitin 1938 (sipas vërtetitmit të datës 24.05.1995, të ish Zyrës së Hipotekës Sarandë).

–          Nuk ka asnjë mundësi reale që i njëjti regjistër ku është regjistruar prona e përmenduar në paragrafin e mësipërm, të ndodhet njëkohësidht në dy zyra hipoteke të ndryshme: në zyrën e Hipotekës Delvinë dhe në zyrën e Hipotrekës Sarandë.

–          Në të dy vërtetetimet e pronësisë, konkretisht atë të datës 09.2 1996 të ish zyrës së hipotekës Delvinë dhe te datës 24.05.1995, të ish zyrës së hipotekës Sarandë, prona prej 700 stremësh është në pronësi të Myrteza Dizdarit, e regjistruar në numër 642 regjistri, në vitin 1929, kurse në Notën e Transkriptimit me numër 85 të përgjithshëm, dhe 94 të transkriptimeve, më 12.10.1938, përcaktohet se pronar i kullotës 700 strem, të regjistruar në numër 642 regjistri, në vitin 1929, është zoti Shuquri Dizdari, gjë që konfirmon falsitetin e ketyre dokumentave.

–          Vërtetimi i Hipotekës Sarandë, datë 24.05.1995 (hipotekues Anastasi Gurma), është i falsifikuar, sepse pronësia e Bektash Avdi Qesko, mbi një sipërfaqe kullote prej 28 stremësh, në Ksamil (e përcaktuar në pikën 1 të këtij vërtetimi), është vërtetuar dhe faktuar se është përfituar me letra të falsifikuara në materialin për pasuritë e paluajtshme të njohura, kthyera dhe kompensuara në Kullotën e Ksamilit, për këtë subjekt dhe të tjerët si më poshtë: “Vec sa më sipër, të gjitha dokumentet e paraqitura nga pala e interesuar për njohjen e pronësisë subjektit Bekltash Beu (Qesko), konkretisht kontrata e shitblerjes e datës 15.06.1926 (e përmenduar në vendimin e  Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë), nr. 232, datë 11.07.1996, por i pa administruar në dosjen e AKKP-së), si dhe Vërtetimi i Hipotekës Sarandë i datës 24.05.1995, duhet të jetë i falsifikuar e për rrjedhojë pas nëj vlerë ligjore, sepse shteti shqiptar, për pjesën prej 1/8, dmth 12/96 pjesë, në Kullotën e Ksamilit, nuk e ka humbur për asnjë moment të drejtën e tij të zotnimit (pronësisë), fakt ky që konfirmohet si nga regjistri i zyrës së kadastrës Delvinë, i datë 16.09.1926, dokument i konfirmuar nga Arkivi Qendror i Shtetit, ku konfirmohet pronësia e shtetit, prej 1/8 pjesë, dmth 12/96 pjesë, ashtu dhe nga një dokument i prefekturës Gjirokastër, i nxjerrë nga Arkivi i Shtetit, fondi 494, viti 1945, dosja 493, fleta 11”. Theksojmë se Shteti ka qenë pronar edhe përpara datës 15.06.1926, datë kjo e kontratës së shit-blerhjes së pretenduar ndërmjet Bektash-Beuut (Qesko) dhe shtetit.

Me stilolaps modern nënshkrimin e kohës së Zogut

Qëndrimi i Shtetit në këtë gjyq nuk bie aspak ndesh me atë të pronarëve të ligjshëm të truallit, familjet gjirokastrite të cilat tashmë kanë marrë të drejtën e pronësisë dhe kanë regjistruar në Kadastër pjesën e pavjedhur. Në fakt, pasi kjo tokë t’i rikthehet shtetit, kur ata t’i paraqesin dokumentat origjinalë, dhe të noterizuar mbi zotërimin e kësaj toke këtij të fundit, atyre automatikisht u lind e drejta edhe të kërkojnë kthimin e pronës nga ana e shtetit, për pjesët që u takon dhe që i kanë trashëguar nga baballarët apo gjyshërit e tyre dhe jo nga falsifikimi apo grabitja, si rastet që përmendëm.

Të tronditur nga aktet e mësipërme të falsifikimit, ndërkohë që vetë familjet e trashëgimtarëve të ligjshëm kishin ende në shtëpitë e tyre dokumentat origjinalë të blerjes së pronave nga të parët e tyre, njëra nga këto familje, me këtë dokument origjinal në dorë, iu drejtua Qendrës së Kërkimeve dhe Ekspertimeve Kriminalistike, për të hedhur dritë mbi falsifikimet e rëndomta.

Më datë 16.01.2009, Eksperti Kriminalist i kësaj Qendre, Hysen Kotri, ndër të tjera, jepte ekspertizë mbi falsifikimet brutale por edhe banale. Në Konkluzionet e tij, eksperti vëren se falsifikimi ishte aq trashanik, sa që falsifikatorët  kanë përdorur stilolaps me bojë të kondensuar të kohëve moderne, duke harruar se në kohën kur bëheshin aktet e pronësisë, që ata pretendojnë, përdorej pena me bojë të lëngshme.

Ja disa nga konkluzionet e ekspertit:

1. Teksti dorëshkrim, në dokumentin objekt ekspertimi ‘Notë Transkriptimi’, Delvinë, më 25.09/40.XVIII, nuk është shkruar nga personi që ka shkruar tekstin dorëshkrim në dokumentin model krahasues ‘NOTE TRANSKRIPTIMI’  Nr. 15 i përgj, Nr. 12 i Transk, Delvinë më 26/I/ 934.

2. Firma në emër të “Sekretari i Ipotekes” në dokumentin objekt erkspertimi “Notë Transkriptimi” Delvinë, më 25/9/40.XVIII, nuk është origjinale e tij, kreahasuar me firmat modele të vëna ne dispozicion, por është falsifikuar nëpërmjet imitimit.

3. Teksti dorëshkrim dhe firma, në dokumentin objekt ekspertimi “Notë Transkriptimi” Delvinë, më 25/9/40.XVIII, nuk janë shkruar me mjet shkrimi të të njëjtës natyrë me atë të dokumentit model krahasues “NOTË TRANSKRIPTIMI” Nr. 15 i përgj, Nr 12 i Tranak, Delvinë më 26/I/ 934.

Teksti me dokumentin objekt ekspertimi mund të jetë shkruar me stilolaps me bojë të kondesuar, ndërsa në dokumentin model krahasues eshte shkruar me penë me bojë të lëngshme.  

Kalvari i pronës në Gjykata

Pavarësisht batërdisë falsifikuese të kësaj prone, mashtruesit falsifikatorë arritën që t’ia hidhnin në dy shkallë gjykimi, ku rasti u trajtua, duke fituar të drejtën e pronësisë, si në Gjykatën e shkallës së Parë, ashtu edhe ne Apel. Por Gjykata e Lartë, përballë vorbullës së korrupsionit, ku ishte e përfshirë dhe frikës së Vettingut, arriti që – të paktën një herë – -ti thërriste arsyes dhe ta rikthente çështjen për gjykim në shkallën e parë. Kështu që më 03.05.2019, Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, me kryesuese të seancës Rezarta Pajën, vendosi ndër të tjera:

·         “Njohjen e e të drejtës së pronësisë së shtetit shqiptar mbi pasurinë me sipërfaqe 69.505 hektarë, tokë kullotë e ndodhur në Berdenesh, Sarandë, e kufizuar nga Lindja dhe Veriu, me pjesën e Kullotës së Teqesë së Zallit, Jugu dhe Perëndimi – Deti, duke ia ngarkuar shpenzimet e gjykimit palës së paditur”, pra falsifikatorëve Dizdari.

Kjo çështje ndodhet sërish në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, ku pritet të merret vendimi i formës së prerë ditën e martë, më 19.10,2019, me trup gjykues të kryesuar nga z. Izet Salaj.

Mbetet për t’u parë, nëse, më në fund , në Shqipëri, nën përpjekjet e mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , aleatit më të madh të Shqipërisë, do të vihet më në fund drejtësi jo në favor të të falsifikatorëve dhe mashtruesve, që janë pasuruar këto 30 vjet, në kurriz të njerëzve të ndershëm.

Me siguri rastet e pronës dhe vendimet e gjyqtarëve shqiptarë për to, duke qenë se bëhet fjalë  për një të drejtë themelore të njeriut, do të kalojnë në një sitë tepër të vëmendshme Vettingu, dhe ata që kanë marrë vendime , përballë fakteve dhe provave dërrmuese, do të përballen patjeter me ligjin.

Dhe më në fund, nuk kemi si të mos përmendim edhe një tjetër fakt skandaloz. Në këtë zonë kaq të lakmuar të Berdeneshit, një tjetër nga tjetërsuesit e pronës është banor i Lazaratit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re