Pas investigimit të emisionit Top Story, që zbuloi disa rrjete të trafikimit të klandestinëve nga vendet arabe drejt Shqipërisë dhe më pas drejt vendeve të BE-së, autoritetet finalizuan operacionin e koduar “Toka e premtuar”. Raportohet se në kuadër të tij u ndaluan shtetasit Salim Yousuf, 41 vjeç ( shtetas palestinez ) dhe S. C., 41 vjeçe.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet kompanive konsulente, bënin të mundur ardhjen në Shqipëri në mënyrë të organizuar, të personave dhe grupeve të personave, kryesisht me origjinë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Afrikës veriore.

Shtetasit e këtyre vendeve, të cilët vinin në Shqipëri, nëpërmjet veprimeve të shtetasve të ndaluar, të cilët u krijonin lehtësira për hapjen e bizneseve të ndryshme në Shqipëri, kryesisht fiktivë dhe pa veprimtari financiare, arrinin të përfitonin leje qëndrimi në vendin tonë. Këta shtetas, pas qëndrimit të përkohshëm në vendin tonë, arrinin të kalonin drejt vendeve të BE-së.

Në kuadër të këtij operacioni janë shpallur në kërkim nga Policia edhe 6 shtetas, të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por, për arsye hetimi, nuk i bëjmë me dije gjeneralitet e tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale ‘’Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit’’ dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re