Investigimi nga BIRN e zbuloi si përfitues të 3.6 milion eurove në “Pandora Papers”, reagon Vasil Kallupi: Shpifje dhe keqpërdorje informacioni, do i hedh në gjyq

vasil.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Skandali global me “Pandora Papers” ku i përfshirë ishte edhe një biznesmen shqiptar emri i të cilit u bë publik, bëri shumë bujë në rrjet.

Vasil Kallupi është shqiptari i parë që u zbulua nga dokumentet e “Pandora Papers”, për shumat marramendëse të parave që qarkullojnë në parajsat fiskale.

Sipas këtyre dokumenteve sekrete të rrjedhura në publik, rezultoi se Vasil Kallupi kishte përfituar 3.6 milion euro nga kontraktori i OST, të derdhura në kompaninë e tij e konsulencës ‘AL Energy Transmission’ me disa këste nga kompania Energoinvest.

Për këtë çështje ka ardhur reagimi i parë nga vetë ai për TPZ.al, ku në deklaratën e tij biznesmeni thotë se të gjitha këto janë shpifje, teksa shton se është keqpërdorur informacioni i atyre dokumenteve.

Ai thotë se do ta hedhë në gjyq gazetarin që publikoi këtë lajm, ndërsa shprehet se kompania e tij i ka publikuar të gjitha bashkëpunimet që ka bërë dhe nuk ka fshehur asgjë.

Reagimi i plotë i Vasil Kallupit:

Lajmet e fundit të paraqitura në mediat e vendit rreth emrit tim Vasil Kallupi dhe kompanisë time më detyrojnë të jap disa sqarime. Nuk është e ndershme, etike dhe aspak profesionale, që një gazetar mendon se lartëson veten profesionalisht, duke publikuar artikuj sensacional në vazhdën e skandalit të quajtur “Pandora Papers”. Nuk mund të hidhet baltë mbi punën dhe biznesin tim privat, duke pretenduar se mediokriteti I gazetarisë ka zbuluar “sekrete” dhe “bashkëpunime sekrete” . Nuk mundet që ndërmjet shpifjes të ndërlidhen insinuata dhe të pavërteta që cenojnë drejtpërdrejt figurën time. Me këtë reagim, dua që të njoftoj opinionin publik se pseudo gazetari investigativ, Besar Likmeta në emër të kauzës shumë të ndjeshme në vendin tonë dhe në rajon, ajo e luftës ndaj korrupsionit, por gjithashtu edhe për të pretenduar lavdinë e “një gazetari të madh” ka shpifur dhe keqpërdorur informacione duke përfshirë e keqinformuar edhe rrjetet ndërkombëtare të gazetarisë investigative.

Me gjithë respektin për profesionin e gazetarisë, pas të cilit qëndrojnë shumë profesionistë që flasin vetëm me zërin e së vërtetës , është detyrim moral I gjithë secilit për të demaskuar ata që shpifin e abuzojnë në emër të së vërtetës, duke manipuluar opinionin publik me informata të pavërteta. Kompania ime, AL Energy është kompani e regjistruar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara në Dubai me Ëebsite zyrtar, në të cilën janë publikuar të gjitha bashkëpunimet e mia me të gjitha kompanitë ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe kompaninë Energoinvest, përfaqësues i së cilës jam që nga viti 2012. Nga kompania SMF e cila menaxhon kontabilitetin e kompanise time, janë vjedhur dokumentat personale . Këto dokumente të marra në rrugë jo ligjore, janë publikuar nga personi Besar Likmeta për të krijuar sensacion në opinionin publik.

Dokumentet e publikuara nuk zbulojnë asnjë sekret ashtu siç ka pretenduar t’i paraqes gazetari, por konfirmojnë informacione zyrtare të publikuara në Ëebsite-in zyrtar te kompanisë time. Manipulimi i radhës bëhet me të dhënat e llogarisë bankare, me pretendimin se unë kam pranuar 3.6 milion euro nga Energoinvest brenda një muaji pasi. E vërteta është se, unë kam pasur disa bashkëpunime me Energoinvest, nga të cilat kam pranuar pagesa për punët dhe aktivitetet e realizuara sipas kontratave dhe raporteve për punën e kryer. Manipulimi me etjen e popujve të Ballkanit për drejtësi dhe transparencë është pandershmëri dhe krim në vetvete.

Tentativa e ulët për të më njollosur mua dhe familjen time, vetëm pse posedoj një kompani që ka publikuar zyrtarisht të dhënat në Ëebsite,është veprim jo profesional që nuk i bën nder as shqiptarëve, as rrjeteve të gazetarisë investigative, apo çdokujt askujt tjetër që ka për qëllim drejtësinë dhe të vërtetën. Vasil Kallupi ka shumë miqësi dhe është mik i shumë mjekëve, sportistëve, gazetarëve, këngëtarëve, politikanëve në mbarë botën , të gjithë emra të mëdhenj e të nderuar. Lakimi I shumë emrave se unë isha mik me këtë apo atë, kishin vetëm një qëllim, shtrëmbërimin e të vërtetës dhe keq informim të opinionit publik. Gjithçka e paraqitur në emrin tim, vërtetojnë edhe një herë, jo profesionalizem dhe mungesë etike të disa ashtuquajturve gazetar. Pa dyshim papërgjegjshmëria dhe paaftësia e një gazetari, nuk mund të rrënoj mundin, djersë, dijen dhe sakrificën e një punëtori dhe biznesmeni të ndershëm.

Bashkëpunimet me kompaninë Energoinvest apo shumë kompani të tjera kanë qenë publike dhe transparente në çdo moment për të gjithë gazetarët dhe qytetarët, prandaj paraqitja e bashkëpunimeve të mija me kaq pompozitet si zbulim “sekretesh” është akt i turpshëm dhe i papërgjegjshëm për një gazetar. Duke marr shkas nga ngjarja, e cila cenon drejtpërdrejt personalitetin dhe biznesin tim, unë kam autorizuar avokatet e mi, qe do te ndërmarrin gjithë hapat ligjore duke kërkuar pushimin e këtij cenimi dhe rivendosjen e nderit dhe personalitet tim.

Me respekt

Vasil Kallupi

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë