Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në Bulqizë, aty ku ka zhvilluar një takim me banorët e zonës.

Në fjalën e tij, Rama tha se të gjitha tokat të cilat përdoren nga pronarë pa dokumente sipas ndarjes me ligjin 7501 dhe që pengojnë investimet të rëndësishëm në bujqësi dhe agroturizëm shteti do të ndërhyjë duke e zgjidhur problemin në favor të investitorit

“Së pari, do më lejoni që të përmend këtu disa të dhëna nga zona sepse është vërtetë e jashtëzakonshme puna juaj dhe janë vërtetë të jashtëzakonshme dhe të dhënat e kësaj zone për të cilën askush, përveç jush dhe nesh që e kemi për shkak të detyrës, nuk di gjë. Po të pyesësh njerëz që nuk jetojnë këtu dhe që nuk kanë lidhje fare me këtë zonë, por që e ndjekin jetën shqiptare dhe ekonominë, punën, fshatin nga televizori, me siguri do thonë që në Bulqizë ka vetëm ca skllevër që mbledhin krom nëpër kodra, sepse ky është realiteti i televizorit.

 

Fatkeqësisht, gjithmonë e më shumë, televizori po bëhet vendi nga ku shpërndahen gënjeshtra, sajesa, fabrikime, manipulime dhe helm.

 

Faktikisht, këtu në këtë zonë, ne kemi 1144 hektarë të mbjellë me drithëra, 136  hektarë të mbjellë me perime, 160 hektarë të mbjellë me patate, 34 hektarë me fasule, 6730 hektarë me foragjere të njoma, 266 hektarë me pemëtore, 35 hektarë me vreshta dhe kemi 146 754 rrënjë mollë, kumbull, dardhë, rrush, qershi, arrë e lajthi  që zënë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe ku është investuar dhe po vazhdohet të investohet dhe do të vazhdojmë të investojmë.

 

Faktet e Shqipërisë në fshat janë komplet ndryshe nga çfarë njerëzit që nuk e jetojnë fshatin përditë dinë dhe për fat të keq, gjithë ajo që thuhet për fshatin, jo vetëm që krijon idenë që fshati është i zhytur në mjerim, nuk ka bukë për të ngrënë, nuk ka njerëz fare që punojnë, por edhe nuk inkurajon më të rinjtë që të merren me punën në fshat.

 

Megjithatë, kjo është koha që jetojmë dhe gjithsecili duhet të bëjë shumë kujdes se nga informohet dhe duhet të bëjë shumë kujdes se nga informohet dhe duhet të bëjë shumë kujdes që të mos keqpërdoret dhe të mos manipulohet nga keqinformimi, nga disinformimi, që për fat edhe më të keq akoma, janë dhe pjesë e mënyrës së të bërit politikë në këtë vend, ku një pjesë e atyre që merren me politikë, ju i njihni mirë, i dini mirë se nuk dua as t’i përmend emrin se është dhe mëngjes, gjithë kjo ditë e bukur dhe pse ta prishim kot, nuk pushojnë së helmuari njerëzit, nuk pushojnë së gënjyeri, së shpifuri me fjalë, me sharje, me fjalë që na largojnë nga tradita shqiptare, na largojnë nga gjithë ato doke dhe zakone që është mirë t’i respektojmë.

 

Përsa i përket atyre që u thanë këtu, unë besoj që kryetari i bashkisë këtu meriton realisht të përgëzohet. Meriton të përgëzohet për faktin se është ndër të paktët kryetarë bashkie, dhe këtë gjë e kemi diskutuar dhe e kam thënë edhe në takimin që kemi bërë me kryetarët e bashkive, qoftë në të parin dhe në të dytin, për të parë konkretisht të gjitha punët dhe të gjitha problemet së bashku me qeverinë sepse është një kryetar bashkie që ka kuptuar se, jo vetëm me reformën territoriale, bashkia nuk është më vetëm qyteti, por është i gjithë territori brenda perimetrit të saj, por edhe që bashkia në raport me fshatin nuk mund të jetë thjesht një autoritet që merret vetëm me rrugë, me ujësjellës, me kanalizime, me pastrim, por duhet të futet më thellë në bashkëpunimin për prodhimin, për grumbullimin dhe për shitjen e prodhimit”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re