Investimet në ekonominë e gjelbër çdo ditë e më shumë po kthehen në vëmendje të biznesit, por edhe të politikave qeveritare, me fokus reduktimin e kostove si dhe mbrojtjes së mjedisit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare së bashku me Bakën Botërore dhe Ambasadën Zvicerane, organizuan konferencën për financat e gjelbra, ku sektori financiar ka një rol kyç në stimulimin e investimeve pro mjedisit. Kreu i AMF, Ervin Mete, e vuri theksin tek këto lloj financimesh që tashmë janë një trend evropian dhe jo vetëm.

 

Sektori financiar ka një rol kyç në arritjen e këtyre objektivave, pasi ai shërben për të riorientuar investimet drejt teknologjive dhe bizneseve të gjelbra, si edhe për të financuar rritjen në një mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Riorientimi i kapitalit privat drejt investimeve të gjelbra kërkon një ndryshim të mendësisë në mënyrën se si funksionon sistemi financiar. Por, suksesi i këtij objektivi varet shumë nga përfshirja dhe angazhimi i të gjithë aktorëve së bashku, sektorit publik, atij privat, ne si rregullatorë dhe mbikëqyrës dhe të gjithë palët e interesit – tha Mete.

 

Në financën e gjelbër përfshihen të gjitha produktet apo shërbimet financiare që kanë si qëllim final përmirësimin e mjedisit,  ku pjesë janë kreditë që mbështesin projekte që nuk ndotin ambientin. Aktualisht qeveria e ka vënë fokusin tek energjia e rinovueshme, nëpërmjet paneleve fotovoltaike.

 

Si pjesë e planit të veprimit të saj për financa të qëndrueshme, aktualisht në qendër të diskutimeve të BE-së, është edhe krijimi i një standardi për obligacionet e gjelbra (EU Green Bond Standard). Një standard i unifikuar për obligacione të gjelbra, inkurajon pjesëmarrësit e tregut të emetojnë dhe investojnë në bonde të gjelbra dhe nxit efektivitetin dhe besueshmërinë në tregjet financiare.  Për gjithë sa më sipër, rregullatorët dhe mbikëqyrësit kanë rol thelbësor lidhur me krijimin e kushteve që nxisin investime të gjelbra, rritjen e kërkesave për transparencë dhe promovimin e nevojës për orientim të kapitalit drejt investimeve të qëndrueshme – u shpreh kreu i AMF-së.

 

Konferenca “Financat e Gjelbra” kishte si qëllim, ndërgjegjësimin e politikbërësve, rregullatorëve dhe sektorit privat, se një ekonomi e qëndrueshme ka në qendër të saj, mbrojtjen e mjedisit, ndaj nevojitet nxitja e investimeve në këtë fushë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re