Pas përfundimit të fazës së parë të punimeve për rritjen e kapaciteteve prodhuese të impiantit të përpunimit të ujit në Bovillë, po realizohet edhe faza II dhe përfundimtare. Erion Veliaj  u shpreh se nga një situatë humbjesh të mëdha në rrjet e vjedhjesh të ujit, sasia e ujit që shkon në çezmat e familjeve në kryeqytet po trefishohet.

 

 “Më vjen mirë që, nga një impiant ku shumica e ujit vidhej dhe praktikisht, në vend që uji të shkonte në drejtim të Tiranës, shkonte në drejtim të Paskuqanit, apo tek ata që e merrnin ujin për të bërë lavazhe, sot jemi në një situatë krejt tjetër. Praktikisht, kemi një linjë të dedikuar të padepërtueshme, të paçarë, që ka eliminuar humbjet në rrjet. Ardhja e dedikuar e ujit, pa asnjë humbje, na krijon mundësi që tani të kemi depozitat më të mëdha që ka pasur ndonjëherë Tirana. Sa për të dhënë një ide të atyre që kuptojnë pak nga volumetria, e gjetëm me 1200 m3 ujë/sekondë para shumë vitesh, kaluam në 1800, në 2400 dhe do të mbarojmë me 3600 m3 ujë/sekondë. Pra, praktikisht kemi trefishuar sasinë e ujit që vjen në Tiranë,”

 

Në këtë vepër po punohet paralelisht edhe me ndërtimin e depos së ujit.

 

“Hapi i parë ishte dedikimi i linjës nga Bovilla; hapi i dytë janë këto megadepozitat – gjysma ka mbaruar, gjysma tjetër është drejt fundit; hapi i tretë, shtrirja kapilare, ajo që kemi bërë, rrjeti nëpër lagje, ku shumë qytetarë pyesin: ‘Pse nuk mbushet ky kanal’. Arsyeja është sepse bëjmë matjet e presionit dhe sigurohemi që i gjithë rrjeti e ka kaluar testin, është kolauduar, përpara se ta fusim formalisht në rrjetin tonë të ujit. Hapi i fundit do të jenë unazat e presionit. Po ashtu, si një depozitë e kësaj natyre ushtron presion barik në të gjithë sistemin për të furnizuar Tiranën me ujë në katet më të larta të kullave, ashtu edhe në zona, sidomos në zonat fundore, aty ku le të themi, disa abonentë janë tek fundi i linjës, unazat e presionit krijojnë pak a shumë të njëjtën dukuri, ushtrojnë presion që edhe në pikat më fundore të kemi ujë të rrjedhshëm,”

 

Sipas Erion Veliajt Tirana vazhdon ta ketë çmimin e ujit më të lirë se Kamza, Pogradeci dhe Korça.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re