Përfundon rikonstruksioni i një godine tjetër në Qytetin Studenti, e cila do të presë së shpejti 300 studentë, me kushte më cilësore dhe hapësira më të mëdha.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet, të cilat po shkojnë drejt fundit.

 

Erion Veliaj

 

Kryetar i Bashkisë së Tiranës

 

Sot kemi rikuperuar konviktin nr.18; jo vetëm hapësirën ekzistuese, por kemi vajtur një kat më lart dhe një kat më poshtë, për të përdorur maksimalisht terrenin që kemi këtu, duke pasur parasysh se me kampusin universitar do të shtohet volume i studentëve. Duam që në kampus të transferojmë një pjesë të madhe të Fakultetit Juridik, duam të shtohet Fakulteti i Gjuhë-Letërsisë; duam te kemi një hapësirë të madhe për shkencat sociale, edhe me Bibliotekën.

 

Veliaj përmendi disa nga lehtësimet që Bashkia e Tiranës ka bërë për studentët dhe shtoi se do të vazhdojë t’i mbështesë ata gjatë viteve të studimit.

 

Me Këshillin Bashkiak kemi vendosur që 50% të kostos së konvikteve e paguan bashkia. Ky është një premtim që mund të bëhet, mund të mbahet dhe e kemi mbajtur. Ndaj, parimi është: Të themi atë që vërtet do të bëjmë dhe jo të prodhojmë një histeri kolektive për gjëra që nuk del llogaria dhe që nuk i ka bërë askush tjetër. Për studentët, edhe këtë vit do të vazhdojmë me abonenë falas dhe me gjysmën e kostos së konviktit të paguar nga bashkia.

 

Në fund, ai ftoi banorët që kanë jetuar më parë në këto godina studentore, që të aplikojnë për bonusin e qirasë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re