Ballina SHENDETI Investimet në shëndetësi: 82% e fondit total alokohet në Tiranë, disa spitale...

Investimet në shëndetësi: 82% e fondit total alokohet në Tiranë, disa spitale bashkiake prej vitesh s’kanë patur asnjë investim

9

Gjatë periudhës nga viti 2014 deri në vitin 2022 buxheti për shëndetësinë u rrit 57% duke arritur vlerën e 65 328 milionë lekë në vitin 2022. Buxheti i dhënë për sektorin e shëndetësisë konsistoi në 10.2% të shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë dhe rreth 3.5% të PBB-së në vitin 2022.

Totali i investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për vitet 2014-2024 për sektorin e shëndetësisë në nivel plan është 27 713 milionë lekë (230.9 milionë euro) dhe në nivel fakt është 20 207 milionë lekë (168 milionë euro).

Tabela 1: Shpenzimet për investime publike 2014-2024 të agreguara sipas tipit të investimit

Në lekë
Periudha 2014-2024  
Tipi i Investimit Plan  Fakt
Ndertime te reja          2,844,173,503          1,968,787,455
Pajisje mjekesore          4,276,204,158          2,775,919,530
Rikonstruksione dhe pajisje          7,239,551,002          5,695,270,300
Rikonstruksione          9,520,580,625          6,056,513,396
Sisteme IT          2,445,585,433          2,393,136,263
Te tjera          1,387,693,432          1,317,863,619
Grand Total        27,713,788,153             20,207,490,563     

Duke ju referuar realizimit faktik të investimeve publike sipas burimit të financimit, rezulton se:

  • Investimet Publike me Financim të Brendshëm (pra burimi i financimit është buxheti i shtetit) janë 11 780 milionë lekë dhe zënë 58% të totalit të investimeve publike të sektorit të shëndetësisë.
  • Investimet Publike me Financim të Huaj (pra burimi i financimit janë donatorët/partnerët ndërkombëtar) janë 8 427 milionë lekë dhe zënë 42% të totalit të investimeve publike të sektorit të shëndetësisë.
  • Referuar kategorive të investimeve, 58% e investimeve me financim të brendshëm ose 6 839 milionë lekë (56.9 milionë euro) shkojnë për ndërtime, rikonstruksione dhe rikonstruksione e pajisje.

Ndërkohë, vetëm 21% e investimeve publike me financim të brendshëm ose 2 499 milionë lekë (ose 20.8 milionë euro) shkojnë për Blerje Pajisje Mjekësore. Pjesa tjetër e investimeve publike me financim të brendshëm shkojnë për sisteme IT-je, TVSH dhe kosto lokale e projekte të vogla për blerje pajisje zyrash, printerash etj. Ndërkohë, 62% e investimeve publike me financim të huaj shkojnë për ndërtime, rikonstruksione dhe rikonstruksione e pajisje ose 5 248 milionë lekë (43.7 milionë euro) dhe vetëm 3% e fondeve të donatorëve shkojnë për blerje ekskluzivisht për pajisjesh mjekësore ose 276 milionë lekë (2.3 milionë euro).

Të analizuara në total investimet publike përgjatë periudhës 2014-2024, fokusohen në masën 60% të tyre në ndërtime dhe rikonstruksione objektesh shëndetësore (spitale, qendra shëndetësore etj), ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale përgjatë 2014-2024 shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore.

Përmendim këtu projektet për ndërtim, rikonstruksione dhe pajisje me vlera të larta si vijon:

  • Rikonstruksioni i 300 qendrave shëndetësore
  • Ndërtim i spitalit të sëmundjeve interne QSUT
  • Rikonstruksione dhe pajisje godinash dhe qendrës së urgjencës kombëtare QSUT
  • Ndërtim bunkeri për instalim akseleratorësh linearë QSUT-onkologjiku
  • Rikonstruksion i shërbimit të reanimacionit të Spitalit Vlorë
  • Rikonstruksione në Spitalin Rajonal Kukës,
  • Rikonstruksion në Spitalin Lezhë dhe shtesë për Maternitetin Lezhë
  • Rikonstruksion dhe shtesë materniteti për Spitalin Berat
  • Rikonstruksion i pediatrisë së Spitalit Durrës
  • MASTER-PLANI I QSUT- kredi e CEB-it (përfundimi i dy kateve të sp.të ri të ndërtuar dhe rikonstruksioni i 6-katshit)
  • Rikonstruksion i godinës së Pediatrisë Spitalit Elbasan
  • Rikonstruksion i QKMZHRF Tiranë
  • Rikonstruksion i godinës se Neonatologjisë dhe Obstetrikës dhe ndërtim e dy godinave të reja në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë
  • Rikonstruksion i godinës së QKT Gjakut Tiranë
  • Rikonstruksion i Spitalit Psikiatrik Elbasan, Rikonstruksion dhe pajisje 5 poliklinikave,
  • Rikonstruksioni i sistemit te ngrohje/ftohje/aspirim për godinën qendrore të SU Shefqet Ndroqi
  • Ndërtimi i maternitetit te ri, shtese 2kat dhe rikonstruksion i repartit Kirurgji + Patologji Spitali Sarandë
  • Rikonstruksion i një godine 4 kat dhe shtese anësore për zhvendosjen e Maternitetit Brenda korpusit të Spitalit Korçë
  • Ndërtim i Spitalit Psikiatrik Vlorë
  • Projekti i Bankës Botërore i cili financohet me kredi dhe ka në fokus rikonstruksion dhe pajisje të godinave të ndryshme në QSUT etj.

Mesatarisht 22% e fondeve totale për çdo vit ose 308 milionë lekë në vit8 (2.5 milionë euro), përgjatë 2014-2021 shkojnë për blerje pajisjesh mjekësore dhe pjesa më e madhe prej 55% ose rreth 1.5 miliardë lekë (12.75 milionë euro) shkojnë për studime/projektime, ndërtime dhe rikonstruksione. Për vitet 2022-2024 është planifikuar që 13% e fondeve të dedikohet për blerje pajisjesh mjekësore duke vijuar dominanca e alokimit të fondeve të investimeve publike për ndërtime dhe rikonstruksione godinash mjekësore.

Referuar ndarjes rajonale të investimeve publike, 82% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetin e Tiranës. Përmendim këtu projektet më të mëdha si vijon:

  • Projekti për fuqizimin e Qendrës së Traumës – Kredia e qeverisë italiane;
  • Përmirësimi i sistemit të shëndetësisë- Sistem IT;
  • Ndërtimin e Bunkerit për instalimin e dy aksesorëve linear në Spitalit Onkologjik te QSUT;
  • Projekti i Bankës Botërore (i ndarë në tre komponentë si vijojnë);
  • Ngritja e sistemit E-PRESCRIPTION për shërbimin shëndetësor;
  • Rikonstruksioni i ndërtesës së ish-laboratorëve për përshtatje për qendrën e konsultave në Q.S.U. Tiranë;
  • Rikonstruksion dhe pajisje 5 poliklinikave;
  • Rikonstruksion në SU. “Shefqet Ndroqi” për sistemimet e jashtme, kanalizimet, ndriçimi dhe ashensori në godinën e administratës, etj Faza III;
  • Rikonstruksione të QSH-ve në njësi administrative;
  • MASTER-PLANI I QSUT- kredi e CEB-it (përfundimi i dy kateve të sp.të ri të ndërtua dhe rikonstruksioni i 6-katshit);
  • Ndërtimi i depos qendrore të barnave në QSUT;
  • Ndërtimi i Spitalit të Sëmundjeve Interne Q.S.U.T;
  • Rikonstruksion i godinës se Neonatologjisë dhe Obstetrikës dhe ndërtim e dy godinave te reja ne SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”;
  • Rikonstruksion i godinës se Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut Tiranë;
  • Godina A1, dy katet + Kati 0 QSUT FAZA 2

Ndërkohë, mesatarisht 2-2.4% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetet Elbasan, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Lezhë dhe Berat. Pjesa tjetër e investimeve publike është e shpërndarë në pjesën tjetër të qyteteve të Shqipërisë, me një fond minimal prej 1% e totalit të fondit të investimeve publike të marrë në analizë, dhe kjo shpërndarje është kryesisht mbi baza vjetore, për shembull Devolli ka marrë investime publike në shëndetësi vetëm në vitin 2017 ose Hasi vetëm në vitin 2016 dhe 2020.

Referuar dokumentit të strategjisë kombëtare të shëndetësisë 2021-2030, sikurse përmendet në të, nuk ka një plan investimesh publike për sektorin e përfshirë në të, duke na bërë të pamundur të analizojmë se mbi çfarë bazash është bërë planifikimi i investimeve publike për periudhën 2021-2024 e rrjedhimisht për vitet pasuese. Referuar dokumentit të mëparshëm 2015-2020, në mënyrë sporadike gjen në brendi të dokumentit dhe në planin e veprimit disa projekte investimesh publike. Nga analiza që i është bërë arritjeve të strategjisë 2015-2020, në dokumentin e strategjisë 2021-2030 flitet vetëm për projektin e 300 qendrave shëndetësore, pa u ndaluar në zbatimin e projekteve të tjera të planifikuara e jo më në analiza të detajuara të eficiencës së tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re