Transformim i qendrës së dhurimit dhe bankës të gjakut, pajisje të teknologjisë së lartë, rikonstruksion i plotë i godinës, por edhe riorganizim i shërbimeve, janë të parashikuara në investimin që pritet të përfundojë brenda këtij viti në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Gjatë inspektimit të punimeve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u shpreh se ndërhyrja e plotë në strukturën e godinës, do të mundësojë ngritjen e një qendre dinjitoze dhe bashkëkohore të cilësisë të lartë, e cila do të plotësohet me shërbimet laboratorike, të përpunimit dhe menaxhimit të bankës së gjakut, sipas standardeve evropiane.

 

“Brenda 6 mujorit të këtij viti do të kemi përfundim të punimeve të infrastrukturës, ndërkohë që do të vijojmë edhe me pajisjet biomjekësore, por edhe mobilimin e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut. Jam e bindur që kjo do të rrisë shumë cilësinë e shërbimit në të gjithë vendin, sepse kjo qendër koordinon në rang kombëtar të gjithë nevojat për transfuzionin e gjakut. Por nga ana tjetër do të bëjë që ne të ngrihemi në një nivel më të lartë përsa i përket kërkimit shkencor dhe rritjes së kapaciteteve të burimeve tona njerëzore”, tha Ministrja Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të punimeve.

 

Pjesa e parë e investimit nga buxheti i shetit do të shkojë për rikonstruksionin e godinës së ndërtuar në vitin 1982, për ta kthyer këtë qendër në një institucion dinjitoz për qytetarët, por edhe për punonjësit e shëndetësisë. Është parashikuar rritja e kapaciteteve pritëse të dhurimit, përmirësimi i kushteve dhe ciklit të punës që nga regjistrimi, deri te marrja e përgjigjeve në kohë reale.

 

Në përfundim të periudhës 17 mujore, sa është parashikuar zgjatja e punimeve, një fond tjetër do të shkojë për pajisjen e Qendrës me aparatura të teknologjisë së lartë.

 

“Sa i përket laboratorëve specifikë të qendrës, puna është fokusuar tek rritja e cilësisë, por edhe e sigurisë së dhurimeve dhe e përpunimit të gjakut”, ka thënë ministrja Manastirliu. “Një tjetër fazë e rëndësishme e këtij projekti është ajo e dixhitalizimit të bankave të gjakut, punë që ka filluar tashmë dhe që do të shtrihet në gjithë Shqipërinë. Kjo do të na mundësojë të sigurojmë në kohë reale informacion, sa i kemi dhurimet, si menaxhohet kjo sasi, garantohet cilësia dhe siguria që ne duhet t’i ofrojmë të gjithë qytetarëve”.

Në të njëjtën kohë ka nisur puna për sigurimin e pajisjeve biomjekësore dhe rikonstruksionin edhe të Qendrës së Transfuzioneve, investime që pritet të rrisin cilësinë e shërbimit në të gjithë vendin sepse kjo qendër koordinon në rang kombëtar të gjithë nevojat për transfuzionin e gjakut.

 

Investimi në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut pritet të rrisë edhe kapacitetet e burimeve njerëzore të shërbimit shëndetësor, por edhe do të çojë në një tjetër nivel edhe kërkimin shkencor në këtë fushë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re