Inxhinieri Arben Meçe është treguar sërish i “ashpër” me kryeministrin Edi Rama, gjatë mbledhjes së dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit. Meçe i është drejtuar Ramës, duke i kërkuar të shkojë patjetër në Shijak për të parë situatën.

“Kam gjithë jetën që punoj në Shijak. Duhet të vini, sepse është nga qytetet më të qeta, por më të shkatërruara. Aty do të shihni lagje të tëra, që janë shkatërruar”, tha inxhinieri.

Më tej, inxhinieri i kërkoi kryeministrit Rama që të organizojë menjëherë grupet e punës, t’i ulë në tavolinë dhe të vendosin çfarë do të bëjnë me objektet e larta në Durrës, që sipas tij, kanë defekt në projekt, i cili mund të shpërthejë edhe pas riparimit.

“Durrësi ka shumë objekte të larta, që dëmi duket shumë i madh. Ka një arsye të vetme, është teknike, është defekt i projektit, që do të thotë edhe pas riparimit ky defekt do të shpërthejë. Ne nuk jemi më të mirët, z.kryeministër grupet duhet t’i organizosh ti. T’i ulësh në tavolinë dhe të vendosni urgjent çfarë do të bëhet me këto objekte. Forcën që ka betoni, nuk e përballon çfarëdolloj muri t’i vendosësh, sepse elasticiteti është aq i madh, sa dëmton ndoshta edhe betonin. Pa bërë këtë procedurë, në mënyrë absolute të mos kalohet te fazat e tjera”, deklaroi inxhinieri Meçe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re