Apple raportohet se ka nisur punën në një telefon të ri të rangut të ulët i ngjashëm me iPhone SE me mbështetje për teknologjinë e ngarkimit wireless dhe që do të debutojë në verën e këtij viti.
Parashikimi vjen nga analisti i Digitimes Luke Lin, i cili beson se pasardhësi i iPhone SE do të ketë kapakë të pasëm prej xhami, ngjashëm me iPhone 8 dhe iPhone X.
Uebsajti Tajvanez DigiTimes ka një të kaluar me raportime herë të vërteta e herë jo lidhur me produktet e ardhshme të Apple.
Megjithatë burimet e uebsajtit kanë qenë të qëndrueshme në të kaluarën. Sipas DigiTimes iPhone SE 2 pritet të ruajë ekranin 4-inç të paraardhësit.
Spekulimet e para për iPhone SE 2 filluan në Gusht të vitit të kaluar ku raportohej se modeli i ardhshëm iPhone SE do të ketë procesorin Apple A10 Fusion, 2GB RAM, 32GB ose 128GB memorie të brendshme dhe bateri 1,700 mAh.
Që kur debutoi në Mars të 2016-ës, shumë pak gjëra kanë ndryshuar me iPhone SE pa ndonjë rifreskim madhor përveç rritjes së kapacitetit të memories në Mars të 2017-ës. /PCWorld Albanian

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re