Deputetët nga blloku i klerikut shiit Muqtada al-Sadr dhanë dorëheqjen nga parlamenti i Irakut të dielën në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në vend që ka zgjatur prej tetë muajsh.

Al-Sadr u kishte kërkuar anëtarëve të bllokut të tij, më i madhi në parlament, të jepnin dorëheqjen për shkak të dështimit të formimit të qeverisë së re në Irak.

Në një video të shkurtër të postuar në llogaritë e mediave sociale të lidhura me lëvizjen Sadriste, shfaqet Hassan Al-Azari, kreu i fraksionit parlamentar të lëvizjes, duke i dorëzuar letrat e dorëheqjes së 75 deputetëve kryetarit të parlamentit irakian Mohammed al-Halbousi, i cili miratoi dhe nënshkroi ato.

Kushëriri i Al-Sadr, Mohammad Jaafar al-Sadr, i cili ishte kandidati i aleancës për kryeministër në Irak, gjithashtu u tërhoq nga kandidatura.

“Unë kisha pranuar të nominohesha për projektin kombëtar dhe reformist të Muqtada al-Sadr. Por është koha të tërhiqem”, tha ai në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

Muqtada al-Sadr kishte krijuar një aleancë trepalëshe me Partinë Demokratike të Kurdistanit (KDP) të udhëhequr nga Masoud Barzani dhe Aleancën e Sovranitetit, një koalicion i grupeve parlamentare sunite, për të formuar një qeveri.

Në zgjedhjet e përgjithshme të Irakut të mbajtura në tetor 2021, lëvizja Sadriste doli e para, duke siguruar 75 ulëse në parlamentin 329-vendësh. Megjithatë, mosmarrëveshjet midis organizatës ombrellë shiite të afërt me Iranin dhe Sadr-it për formimin e qeverisë vazhdojnë.

Konflikti aktual midis grupeve shiite ka çuar në një paralizë politike në vend dhe në pamundësi për të formuar një qeveri të re.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re