Mbështetësit e liderit të Lëvizjes Sadr, Muqtada Al-Sadr, klerikut shiit me ndikim, po protestojnë kundër seancës parlamentare në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, raporton Anadolu Agency (AA).

Qindra simpatizantë të Lëvizjes Sadr u mblodhën në sheshin Tahrir në qendër të Bagdadit për të protestuar kundër seancës në të cilën u zgjodh kryetari dhe zëvendësi i parë i Kuvendit.

Protestuesit po tentojnë të thyejnë barrierat prej betoni që forcat e sigurisë kanë vendosur rreth Zonës së Gjelbër ku ndodhet godina e Kuvendit, me buldozerët që kanë sjellë. Herë pas here ka përplasje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve.

Dorëheqja e kryetarit të Kuvendit, Muhammed Halbusi, nuk u pranua në Kuvend, i cili u mblodh sërish pas një pauze dymujore. Në votim për nënkryetar të parë të Kuvendit u zgjodh Muhsin Mendelavi.

Gjatë seancës, rreth ndërtesës së Kuvendit u krye sulm me tri raketa dhe nga sulmi janë lënduar tre ushtarë.

Mbështetësit e Sadr-it, i cili më herët ka njoftuar tërheqjen nga politika, thonë se nuk duan një qeveri koalicioni në të cilën kabineti ndahet mes grupeve politike dhe kundërshtojnë gjithashtu Mohammad Shia Sudanin, kandidatin për kryeministër të shiitëve të mbështetur nga Irani.

Sadr, i cili fitoi zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Irak vitin e kaluar, nuk donte të formonte një qeveri me partitë rivale shiite, dhe më pas dha dorëheqjen nga politika dhe tërhoqi 73 deputetët e tij. Detyrën e nënkryetarit të parë në kuvend e kryente deputet i Lëvizjes Sadr.

Mbështetësit e Sadr-it, të cilët kundërshtuan kandidatin për kryeministër të grupeve shiite pro-iraniane, hynë në ndërtesën e parlamentit në Bagdad në fund të korrikut, duke bastisur Zonën e Gjelbër, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe përfaqësitë e misioneve të huaja.

Simpatizantët e klerikut me ndikim më pas mbajtën një protestë për rreth një muaj në kopshtin e parlamentit.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re