Iraku ka arrestuar një të dyshuar, përgjegjës për shpërthimin në rrethin Karrada të Bagdadit në vitin 2016, i cili la 323 persona të vdekur dhe 250 të plagosur, tha sot kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi.

Al-Kadhimi në Twitter tha se “5 vjet pas sulmeve terroriste të Karrada-s, forcat tona guximtare arritën të kapin terroristin Ghazwan Alzawbaee në një operacion kompleks inteligjence jashtë vendit. Ai është fajtori kryesor prapa mizorisë në Karrada dhe shumë të tjerave”.

Në atë kohë, DEASH-i mori përgjegjësinë për shpërthimin vetëvrasës në Karrada.

“Ky terrorist kreu shumë operacione kriminale kundër popullit irakian dhe forcave të sigurisë”, tha në një deklaratë gjeneralmajor Yahya Resul, zëdhënësi i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Një javë më parë, Al-Kadhimi njoftoi arrestimin e Sami Jasim al-Jaburi, zëvendës i ish-udhëheqësit të DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi, gjatë një operacioni të sigurisë ndërkufitare.

Në vitin 2017, Iraku shpalli fitoren ndaj DEASH-it duke rimarrë të gjitha territoret që grupi terrorist kontrollonte që nga vera e vitit 2014, e cila vlerësohej të ishte rreth një e treta e territorit të vendit.

Grupi, megjithatë, ende mban celula të heshtura në zona të mëdha në Irak dhe herë pas here nis sulme sporadike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re