Organi më i lartë gjyqësor i Irakut të dielën hodhi poshtë kërkesën e Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) për të krijuar një gjykatë të autorizuar speciale për gjykimin e të dyshuarve të organizatës terroriste DEASH.

Ministri i Drejtësisë i KRG-së, Farsat Ahmad, në një deklaratë tha se administrata e Erbilit ka kërkuar krijimin e gjykatës për t’u marrë me krimet e kryera nga terroristët e DEASH-it, përfshirë vrasjet dhe torturat.

Teksa theksoi se kërkesa ishte refuzuar nga Gjykata Supreme Federale, Ahmedi nuk dha arsyen.

Ai theksoi se KRG është përpjekur të dokumentojë krimet e kryera nga terroristët e DEASH-it për dy vitet e fundit.

Ahmad shtoi se nuk është e mundur të kundërshtohet vendimi i gjykatës së lartë, por u zotua të kërkojë mundësi tjera për të shprehur pikëpamjet e tyre.

Më 28 prill, parlamenti i KRG-së miratoi një projektligj mbi krijimin e gjykatës speciale penale dhe pritej që ai të themelohej.

Terroristët e DEASH-it në muajt e fundit kanë përshkallëzuar sulmet e tyre, veçanërisht në zonën midis Kirkuk-ut, Salahuddin dhe Diyala, i njohur si “Trekëndëshi i Vdekjes”.

Në vitin 2017, Iraku deklaroi fitoren mbi DEASH-in duke rimarrë të gjitha territoret që grupi terrorist kontrolloi që nga vera e vitit 2014, e cila vlerësohej të ishte rreth një e treta e territorit të vendit.

Grupi, megjithatë, ende mban celula të heshtura në zona të mëdha në Irak dhe herë pas here fillon sulme sporadike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re