Irani njoftoi se të gjithë kufijtë tokësorë me Irakun janë mbyllur për shkak të ngjarjeve në Irak dhe se u ndaluan fluturimet për në Bagdad.

Sipas lajmit të televizionit shtetëror iranian, zëvendësministri i Brendshëm i Iranit, Majid Mirahmedi, deklaroi se të gjithë kufijtë tokësorë janë mbyllur për shkak të ngjarjeve në Irak.

Duke u bërë thirrje iranianëve që të përmbahen nga udhëtimi në këtë vend, Mirahmedi tha: “Theksoj se të gjithë kufijtë tokësorë të Iranit me Irakun janë mbyllur për shkak të mjedisit të paqëndrueshëm në Irak dhe se askush nuk do të lejohet të kalojë kufijtë”.

Vendimi erdhi ndërsa miliona iranianë po përgatiteshin të vizitonin qytetet irakiane të Qerbelasë dhe Najafit për ceremonitë e Erbainit.

Nga ana tjetër, zyrtari i Aeroportit Ndërkombëtar Imam Khomeini në kryeqytetin Teheran, Said Çelenderi, njoftoi se fluturimet për në Bagdad janë pezulluar përkohësisht deri në një njoftim tjetër.

Duke folur për agjencinë gjysmë zyrtare të lajmeve Tesnim, zëdhënësi i Autoritetit të Aviacionit të Iranit, Mir Akbar Rezavi, tha se ata bënë një plan të jashtëzakonshëm fluturimi në qytetin e Najafit për të sjellë shtetasit iranianë që ishin në Najaf për ceremonitë e Erbainit.

Lideri i Lëvizjes Sadr, Muqtada al-Sadr, i cili fitoi zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Irak vitin e kaluar, njoftoi në rrjetet sociale më 29 gusht se ishte “tërhequr plotësisht nga politika”.

Një grup mbështetësish të Al Sadrit ishin mbledhur para Pallatit të Qeverisë në Zonën e Gjelbër të mbrojtur, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe përfaqësitë e misioneve të huaja në kryeqytet dhe protestuan kundër qeverisë. Pavarësisht masave të sigurisë, grupi pro Al Sadrit, i cili shembi barrierat e betonit dhe u mblodh para Pallatit të Qeverisë, u bëri thirrje qeveritarëve të japin dorëheqjen.

Më pas, në Bagdad u shpall orë policore për shkak të veprimit të mbështetësve të Sadrit.

Ndërkohë, është rritur në 13 numri i personave që kanë humbur jetën dhe 350 numri i të plagosurve gjatë konflikteve mes forcave të sigurisë dhe mbështetësve të liderit të Lëvizjes Sadr, në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re