Protestat e nisura pas vdekjes së Mahsa Aminit në Iran kanë vazhduar në universitete të ndryshme të vendit.
Studentët e Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë në Teheran brohoritën slogane kundër qeverisë në protestën e tyre dhe e quajtën parkun “Jina Park” në kampus me emrin Mahsa Amini.
Studentët e Universitetit “Tarbiat Modares” reaguan duke thirrur parulla si “Teherani është bërë qendër paraburgimi, shtëpia juaj është bërë thertore” dhe “Betohem në gjakun e Mahsas se Irani do të çlirohet” së bashku me sloganin “Ne presim miqtë tanë, nuk po shkojmë askund, ne jemi këtu”.
Sipas Agjencisë iraniane të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut, guvernatori i provincës Kurdestan njoftoi se shkollat dhe universitetet ishin mbyllur për të mërkurën, duke përmendur “rastet në rritje të gripit”.
Agjencia pretendoi se arsyeja kryesore pse shkollat u mbyllën ishte dita e 40-të e vdekjes së Mahsa Aminit.
Sipas traditave iraniane, dita e 40-të e vdekjes konsiderohet një ditë e rëndësishme. Familja Amini njoftoi se nuk planifikojnë të organizojnë ndonjë ceremoni përkujtimore për të mërkurën.
Protestat në Iran
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua nga patrullat e Irshadit, e njohur si “Policia e moralit” në Teheran, më 13 shtator, shkaktoi zemërim në vend.
Protestat, të cilat nisën pas funeralit të Aminit në vendlindjen e saj në Sakkez më 17 shtator, u përhapën në shumë qytete të vendit.
Televizioni shtetëror iranian njoftoi më 24 shtator se 41 persona, përfshirë forcat e sigurisë, humbën jetën në protesta.
Agjencia e Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut në Iran (HRANA) në raportin e saj të publikuar sot pohoi se të paktën 244 persona e kanë humbur jetën, mes të cilëve 32 fëmijë dhe 26 roje të sigurisë.
Burimi: AA