Përderisa vazhdon vala e arrestimeve lidhur me protestat e nisura pas vdekjes së Mahsa Aminit në Iran, së fundmi u arrestuan ish-futbollisti i kombëtares Hossein Mahini dhe gazetarja Elaheh Mohammedi me arsyetimin e “nxitjes së protestave”.

Sipas lajmit të agjencisë gjysmë zyrtare të Iranit, Tesnim, Mahini ish-lojtari i skuadrës Persepolis dhe i kombëtares së Iranit, i cili ditët e kaluara bëri postime inkurajuese në llogaritë e tij në rrjetet sociale, është arrestuar me vendim të gjykatës.

Zyrtarët iranianë pretendojnë se Mahini postoi thashetheme të pabaza në llogaritë e tij të mediave sociale dhe inkurajoi njerëzit t’i bashkoheshin protestave kundër qeverisë së vendit.

Nga ana tjetër, është arrestuar edhe gazetarja Elaheh Mohammedi, e cila ka publikuar lajmin për varrimin e Mahsa Aminit.

Avokati i Mohammedit, Muhammed Ali Kamfiruzi, ka bërë të ditur se gazetarja e gazetës “Hem Mihen”, Elaheh Mohammedi është arrestuar pasi ka publikuar një mesazh që ka shpërndarë në llogarinë e saj në Twitter.

Kamfiruzi deklaroi se Mohammedi ishte gazetarja që shkoi në qytetin Saqqez dhe përgatiti lajmin për varrimin e Mahsa Aminit.

Vala e protestave dhe arrestimeve pas vdekjes së Mahsa Aminit

Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u dërgua në spital në gjendje kome pasi u arrestua nga patrullat e Irshadit të njohura si “Policia e moralit” në Teheran më 13 shtator, shkaktoi zemërim të madh në vend.

Pas funeralit të Aminit në qytetin e saj të lindjes, Saqqez, më 17 shtator, shpërthyen demonstrata në Teheran dhe qytete në perëndim të vendit.

Televizioni shtetëror iranian më 24 shtator njoftoi se sipas shifrave jozyrtare 41 persona, përfshirë forcat e sigurisë, humbën jetën gjatë protestave që u kthyen në dhunë.

Autoritetet nuk kanë dhënë informacione të sakta për numrin e viktimave në protesta.

Me vazhdimin e ngjarjeve, forcat e sigurisë nisën një valë arrestimesh ndaj protestuesve, të cilët morën pjesë në protesta me urdhër të drejtësisë me arsyetimin se “vënë në rrezik sigurinë publike”.

Në kuadër të kësaj, sipas lajmeve në mediat e vendit, numri total i të arrestuarve llogaritet në 2.000.

Kryetari i Gjykatës, Gulamhossein Muhsini Ejei në një deklaratë më 26 shtator tha se jo të gjithë ata që dalin në rrugë janë fajtorë dhe se gjyqësori do të marrë masa vetëm kundër atyre që kërcënojnë sigurinë publike.

Faize Hashemi, vajza e ish- presidentit të ndjerë të Iranit, Ali Akbar Hashemi Rafsanjani, u arrestua më 27 shtator për “nxitje të protestuesve”.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në New York, që nga fillimi i protestave janë arrestuar 20 gazetarë. Gjithashtu thuhet se është arrestuar edhe Nilufer Hamidi, punonjëse e gazetës “Shargh” e cila shkoi ne spital dhe raportoi gjendjen e Mahsa Aminit teksa ajo ishte në gjendje kome.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re