Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, njoftoi se dënon ashpër sulmin ndaj Kuranit në Danimarkë.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kanaani ka reaguar ndaj djegies së Kuranit të Shenjtë nga një grup ekstremist në Danimarkë.
Kanaani, i cili paralajmëroi përsëritje dhe shtim të fyerjeve ndaj Kuranit dhe të shenjtërisë të muslimanëve në disa vende evropiane, dënoi heshtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut ndaj veprimeve të tilla.
Ai tha se qasje të tilla krijojnë baza për përhapjen e urrejtjes, ekstremizmit dhe nxitjen e dhunës dhe se kjo do të rrezikonte bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe sigurinë globale.
Duke thënë se injorimi i këtyre nismave në emër të të drejtave të njeriut është kundër të drejtave universale të njeriut, Kanaani deklaroi se presin që autoritetet daneze të marrin përgjegjësinë “për të siguruar që sulme të tilla agresive të mos përsëriten me pretekstin e lirisë së shprehjes”.
Një sulm u krye ndaj flamurit të Türkiye-s dhe Kuranit të Shenjtë përpara ambasadës turke në Kopenhagë më 24 mars në Danimarkë.
Provokimi i organizuar nga grupi margjinal i quajtur Patrioterne Gar Live (Patriots Live) është transmetuar drejtpërdrejt në llogarinë e grupit në Facebook.
Provokatorët hapën pankarta anti-islame, brohoritën me parulla fyese ndaj Islamit dhe kryen sulm të shëmtuar ndaj flamurit të Türkiye-s.
Burimi: AA