Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar gjenerallejtënant Brett Sylvia, i cili drejtonte Drejtorinë e Strategjisë, Planeve dhe Politikave të Shtabit të Përbashkët të ushtrisë amerikane, të njohur si J5.
Largimi i tij lidhet me një hetim për pretendimet se ai u ka zbuluar gazetarëve informacione të klasifikuara mbi luftën në Iran, luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe çështje të tjera të ndjeshme të sigurisë kombëtare.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Luftës, Sylvia ka dështuar në tri teste poligrafike të zhvilluara në kuadër të hetimit për rrjedhjen e dyshuar të informacionit.
Çështja i është referuar Departamentit të Drejtësisë, ndërsa deri në publikimin e lajmit nuk kishte një reagim nga gjenerali apo nga institucioni i drejtësisë amerikane.
Gjenerali akuzohet gjithashtu se është takuar me gazetarë jashtë Pentagonit, me qëllimin e dyshuar për t’u transmetuar materiale konfidenciale.
Këto takime pretendohet se kanë ndodhur pasi Hegseth vendosi kufizime të reja për mediat, duke kërkuar që gazetarët të shoqërohen gjatë qëndrimit brenda ndërtesës.
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi se masa ndaj një zyrtari të lartë ushtarak ishte marrë pas një hetimi të gjerë të Shërbimit të Hetimeve të Forcave Ajrore, por nuk e përmendi Sylvia-n me emër dhe nuk dha hollësi të tjera.
“Angazhimi ynë nuk ishte një premtim bosh. U zotuam se do t’ju gjenim dhe e kishim seriozisht”, deklaroi Parnell, duke paralajmëruar personat që dyshohen për nxjerrjen e informacioneve të klasifikuara.
Sylvia kishte një rol të rëndësishëm në hartimin e strategjisë ushtarake amerikane dhe në këshillimin e kryetarit të Shtabit të Përbashkët.
Megjithatë, një zyrtar amerikan sqaroi se ai nuk ishte ndër planifikuesit kryesorë të luftës kundër Iranit, përgjegjësi që i takon Komandës Qendrore të SHBA-së, nën drejtimin e admiralit Brad Cooper.
Sipas revistës The Atlantic, Hegseth kishte humbur besimin te gjenerali, mes tensioneve me Elbridge Colby, drejtuesin e politikave në Pentagon.
Sylvia është gjenerali i dytë që largohet nga drejtimi i J5 gjatë mandatit të Hegseth, pas gjenerallejtënant John McGee. Më herët, është shkarkuar edhe gjenerallejtënant Douglas Sims, i cili drejtonte Shtabin e Përbashkët.
Presidenti Donald Trump deklaroi se Sylvia do të përballet me “probleme të mëdha, për një kohë të gjatë”, pa dhënë hollësi të tjera.
Shkarkimi ndodh në një periudhë kur Uashingtoni po shqyrton mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit.
Sipas raportimeve, zyrtarët amerikanë u kanë kërkuar aleatëve në Lindjen e Mesme të përgatiten për mundësinë e goditjeve të reja pas zgjedhjeve të mesmandatit, si dhe për një kundërpërgjigje të mundshme iraniane. Ndërkohë, forca të tjera amerikane po zhvendosen drejt rajonit.
Largimi i Sylvia-s, është pjesë e një ndryshimi më të gjerë në drejtimin e lartë ushtarak amerikan. Gjatë kohës që Hegseth është në krye të Pentagonit, sipas raportimit të Fox News, gati dy duzina gjeneralësh, admiralësh dhe drejtuesish të tjerë të lartë janë shkarkuar, larguar ose kanë lënë detyrat e tyre.
Përplasjet në nivelet më të larta të ushtrisë amerikane, hetimet për rrjedhjen e informacionit dhe mundësia e një përshkallëzimi të ri me Iranin e bëjnë këtë largim veçanërisht të ndjeshëm për administratën Trump. \\
