Garda Revolucionare e Iranit kapi të martën një dron lundrues amerikan në Gjirin Persik dhe u përpoq ta merrte duke e tërhequr me vete, por e lëshoi kur u afrua një anije luftarake e Shteteve të Bashkuara së bashku me një helikopter, thanë zyrtarët amerikanë.

 

Ky incident përfaqëson herën e parë që Irani vendos në objektiv njësitë me dronë të Flotës së 5-të amerikane që është stacionuar në Lindjen e Mesme.

 

Megjithëse situata u tejkalua pa incidente, tensionet vazhdojnë të jenë të larta ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, ndërkohë që vazhdojnë negociatat e fuqive botërore me Iranin mbi marrëveshjen për programin e tij bërthamor.

 

Anija e gardës iraniane “Shahid Baziar” lidhi një kavo tek droni “Saildrone Explorer”, në pjesën qendrore të Gjirit Persik në ujërat ndërkombëtare, gjatë orëve të vona të së hënës, tha Komandanti Timothy Hawkins, zëdhënës i Flotës së 5-të amerikane. Në vazhdim anija filloi ta tërheqë me vete dronin brenda të cilit ndodhen kamera, radarë dhe sensorë të ndryshim për monitorimin nga larg të deteve, tha zoti Hawkins.

 

“USS Thunderbolt”, një anije patrulluese e marinës amerikane, si dhe një helikopter MH-60 Seahawk, filluan të ndjekin anijen e gardës iraniane. Ata i komunikuan në radio anijes iraniane se droni që po tërhiqte ishte amerikan, tha zoti Hawkins.

 

“Reagimi ynë ishte i tillë që e bëri të qartë se ishte pronë e qeverisë amerikane dhe se po vepronte në ujëra ndërkombëtare dhe se synonim të ndërmerrnim të gjitha veprimet që mund të nevojiteshin”, i tha ai agjensisë së lajmeve Associated Press.

 

Zoti Hawkins tha se incidenti u mbyll paqësisht pas gati katër orësh. Iranianët shkëputën kavon nga droni dhe iu larguan zonës, ndërkohë që forcat amerikane qëndronin në afërsi.

 

Gjenerali amerikan Michael Kurilla, i cili drejton Komandën Qendrore, lavdëroi ekuipazhin e anijes amerikane Thunderbolt për reagimin.

 

“Ky incident demonstron edhe njëherë aktivitetin destabilizues, të paligjshëm dhe joprofesional të Iranit në Lindjen e Mesme”, u shpreh ai në një deklaratë.

Garda iraniane është një forcë paraushtarake që varet drejtpërsëdrejti nga Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei. Ajo nuk e konfirmoi incidentin. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

 

Flota e 5-të amerikane inauguroi vitin e kaluar njësinë e saj 59, e cila përmban mjete pa personel. Ndër zonat që ka në përgjegjësi Flota e 5-të është edhe Ngushtica e Hormuzit, në Gjirin Persik, nga ku transportohet 20% e të gjithë karburantit të botës.

 

Aktiviteti i kësaj flote shtrihet deri në Detin e Kuq dhe në Kanalin e Suezit në Egjipt që lidh Lindjen e Mesme me Mesdheun, si dhe në Ngushticën Bab el-Mandeb pranë Jemenit.

 

Rajoni ka përjetuar një seri sulmesh në det gjatë viteve të fundit. Në afërsi të Jemenit, varka pa pilot të ngarkuara me eksploziv dhe mina lundruese të rebelëve huthi kanë dëmtuar anijet gjatë gjithë viteve të konfliktit të zgjatur. Pranë Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ngushticës së Hormuzit, anijet konteniere me naftë janë kapur nga forcat iraniane. Ndaj anijeve të tjera janë bërë sulme për të cilët marina amerikane fajëson Iranin.

 

Këto sulme filluan rreth një vit pasi Presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump mori vendimin për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit, e cila parashikonte heqje të sanksioneve ndaj Teheranit në këmbim të kufizimit drastik të pasurimit të uraniumit.

 

Irani tashmë pasuron uranium në një shkallë më të afërt se kurrë më parë me nivelin që duhet për ta shndërruar në armatim, dhe zyrtarët thonë haptazi se Irani mund ta krijojë bombën bërthamore nëse dëshiron. Irani thotë se programi i tij është paqësor, megjithëse vendet perëndimore dhe inspektorët ndërkombëtarë thonë se Teherani ka ngritur një program bërthamor ushtarak që në vitin 2003./VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re