Ministri i Jashtëm i Iranit, Husein Emir Abdullahiyan tha se disa muaj para fillimit të luftës në Ukrainë, ata dërguan një numër të kufizuar mjetesh ajrore pa pilot (UAV) në Rusi, por se pretendimet se i kanë dhënë raketa këtij vend nuk janë të vërteta.

“Pretendimet e disa vendeve perëndimore për raketat janë krejtësisht të gabuara, por disa pyetje në lidhje me dronët janë të vërteta. Një numër i kufizuar dronësh iu dorëzuan Rusisë muaj para luftës në Ukrainë”, tha Abdullahiyan, njoftoi agjencia e lajmeve IRNA.

Shefi i diplomacisë iraniane deklaroi se janë të gatshëm të hetojnë pretendimet se këta dronë janë përdorur në luftën në Ukrainë.

“Sigurisht, nëse na vërtetohet se Rusia ka përdorur dronë iranianë në luftën kundër Ukrainës, ne nuk do të jemi indiferentë ndaj kësaj çështjeje”, tha Abdullahiyan.

Ai tha se në një takim me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ata ranë dakord t’u paraqiten provat.

Abdullahiyan shtoi se ishte planifikuar një takim në të cilin do të marrin pjesë ekspertë nga të dy vendet për këtë temë dhe se Ukraina hoqi dorë nga pjesëmarrja në takim në minutën e fundit për shkak të presionit të SHBA-së dhe Gjermanisë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan tha në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë më 11 korrik se ai ka të dhëna të inteligjencës se Irani së shpejti do të dërgojë qindra dronë, përfshirë ato të armatosur në Moskë për luftën në Ukrainë dhe do të sigurojë trajnime me dronë për ushtarët rusë.

Qeveria e Kievit njoftoi se sulmi rus në kryeqytetin ukrainas më 17 tetor u krye nga dronët kamikazë pa pilot të tipit Shahid-136, të cilët i ishin dhuruar Rusisë nga Irani dhe njoftoi se po përgatitej të ndërpriste plotësisht marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov më pas hodhi poshtë akuzat se dronët iranianë ishin përdorur në Ukrainë.

Gazeta amerikane “Washington Post” në lajmin e saj bazuar në zyrtarë amerikanë dhe perëndimorë të sigurisë shkruante se Irani ka pranuar të dërgojë raketa në Rusi si dhe dronë të armatosur.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re