Korpusi elitar i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) ka njoftuar se do të mbajë stërvitje në shkallë të gjerë në ujërat veriore dhe jugore të vendit në javët e ardhshme në mbështetje të Palestinës.

“Parada detare do të mbahet të enjten në bashkëpunim me disa porte anembanë botës”, tha komandanti i marinës së IRGC-së, Alireza Tangsiri.

Ai tha se qëllimi i një lëvizjeje të tillë është të tregojë vendosmërinë për të mbrojtur popullin e shtypur të Palestinës, për të mbështetur Intifadën e tyre dhe për të dënuar krimet e tmerrshme të “regjimit sionist”.

Parada do të mbahet në brigjet e Liqenit Kaspik në veri të Iranit dhe në Gjirin Persik në jug të Iranit me pjesëmarrjen e më shumë se 2.500 anijeve.

Parada u njoftua mes tensioneve të shtuara në Kudsin Lindor të pushtuar pas një sërë sulmesh nga forcat izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa gjatë Ramazanit.

Shumë vende muslimane në mbarë botën dënuan ashpër sulmet izraelite dhe i bënë thirrje Tel Avivit të jetë i përmbajtur.

Tensionet midis Iranit dhe Izraelit janë përkeqësuar javët e fundit pasi sulmet ajrore izraelite në veri të Sirisë vranë dy këshilltarë ushtarakë të IRGC-së në fund të marsit.

Zyrtarët iranianë kanë njoftuar një përgjigje të vendosur dhe vendimtare ndaj vrasjeve.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re