Irani njoftoi se ka marrë vendim të ri sanksionesh ndaj disa institucioneve dhe individëve të Britanisë së Madhe dhe vendeve të Bashkimit Evropian (BE) për “mbështetje të terrorizmit dhe grupeve terroriste që nxisin akte terroriste dhe dhunë kundër popullit iranian dhe që ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit”.
Në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme iraniane thuhet se janë vendosur sanksione ndaj 13 institucioneve dhe 23 individëve të rangut të lartë në Britani dhe në vendet e BE-së.
Vendimi për sanksione është marrë në përputhje me miratimin e autoriteteve përkatëse dhe mbi bazën e parimit të reciprocitetit, me arsye të tilla si mbështetja e terrorizmit dhe grupeve terroriste, nxitja dhe inkurajimi i akteve dhe dhunës terroriste kundër popullit iranian, ndërhyrja në punët e brendshme të Iranit, përhapja e informacioneve të rreme për Iranin dhe kontribuimi në përshkallëzimin e sanksioneve kundër vendit, thuhet më tej.
Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se sanksionet ndaj 13 institucioneve dhe 23 individëve “përfshijnë ndalimin e vizave, ndalimin e hyrjes së tyre në Iran dhe konfiskimin e aseteve të tyre në Iran”.
Në listën e institucioneve që u nënshtrohen sanksioneve, kanë zënë vend institucionet dhe organizatat e emërtuara si “Komanda Supreme e Aleatëve Evropianë e NATO-s (SACEUR), Komanda Kombëtare e Ushtrisë Gjermane dhe Divizioni i Përgjithshëm i Operacioneve Hapësinore dhe kompania gjermane e armëve, Maffei Wegmann Kraus”.
Në listën e individëve të sanksionuar janë: Ministrja për Barazinë midis Grave dhe Burrave, Isabelle Rome, Roland Lescure, ministri për Industrinë në Francë, Roderich Kiesewetter, deputet i Parlamentit gjerman, Renata Alt, deputete e Parlamentit gjerman, Stuart Irwin, komandant i Bazës Ajrore Detare Mbretërore nga Britania dhe Philip Dennis, zëvendës komandant i Forcave të Bashkuara Detare nga Britania.
BE-ja më 20 shkurt vendosi sanksione ndaj 32 individëve dhe 2 organizatave, përfshirë ministrin iranian të Kulturës dhe Udhëzimit, Mohammed Mehdi Ismaili dhe ministrin e Arsimit, Yusuf Nuri, për shkak të ndërhyrjes së oficerëve të zbatimit të ligjit në protestat që filluan pas vdekjes së Mahsa Aminit dhe aplikimin e dënimeve me vdekje për protestuesit.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të atyre në listë, ndalimin e udhëtimeve në vendet e BE-së dhe bllokimin e financimit për këta individë dhe organizata.
Burimi: AA