Kreu i organizatës për energji bërthamore të Iranit, Mohammad Eslami, tha më 1 gusht se Republika Islamike ka aftësitë teknike për të prodhuar bombë bërthamore.

Por, ai tha se shteti nuk ka qëllime të tilla, raporton agjencia iraniane e lajmeve, Fars.

 

Komentet e Eslamit janë të ngjashme me deklaratat e bëra muajin e kaluar nga Kamal Kharrazi, këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

 

Irani veçse pasuron uranium deri në 60 për qind pastërti. Kjo është përqindje shumë më e lartë sesa norma prej 3.67 për qind të pastërtisë që lejohet sipas marrëveshjes bërthamore që Irani dhe fuqitë botërore arritën më 2015.

 

Për të prodhuar një armë bërthamore, nevojitet uranium me pastërti prej 90 për qind.

 

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 2018 tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore me Teheranin dhe nisi rivendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Republikës Islamike.

 

Pas kësaj, Teherani nisi që gradualisht të shkelte marrëveshjen e vitit 2015. Bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes mes fuqive botërore dhe Iranit kanë ngecur që nga muaji prill.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re