Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Një thesar të çmuar të kulturës shqiptare në përgjithësi na e kanë ruajtur pjesa më e rëndësishme e kësaj kulture, ata që e kanë ekzekutuar këngën popullore shqiptare në përgjithësi. Është një fat dhe një vlerë e madhe prania e këngëtarëve, rapsodëve, grupeve polifonike dhe formacioneve orkestrinore, të cilët i kanë hapur shtegun pranisë së gjallë dhe mjaft aktive të kulturës popullore, në mënyrë të veçantë këngës, përmes të cilës kohët dhe njerëzit kanë vendosur marrëdhënie të rëndësishme me njëri- tjetrin.

Përmes këtyre talenteve të rëndësishëm të kësaj kulture, veçmas të këngës, në kujtesën e njerëzve të thjeshtë, ka arritur të vijë një pjesë e madhe e një krijimtarie të hershme, një krijimtarie me vlera autentike, të cilat pa ndërmjetësuesit e tyre, siç janë rapsodët dhe këngëtarët e ndryshëm, ato, ose do të kishin humbur shumë nga vlerat e tyre, ose do t’i kishte mbuluar pluhuri i harresës, ose ishin deformuar dhe kishin humbur origjinalitetin, kolorin dhe aromën e tyre.

Kënga popullore është një krijim autentik, e cila në origjinën e saj të hershme dhe të parë nuk është e shkruar, ajo evidentohet në mënyrën më praktike të mundshme, ajo ekzekutohet dhe deklamohet, aty shënon dhe fillimin e jetës së saj. Duke e kuptuar mirë këtë moment, kuptohet gjithashtu sa rëndësi ka ekzekutimi i tyre, sa më afër origjinalitetit të tyre, ndërmjetësues të të cilave janë këngëtarët e kësaj kënge. Sepse shumë nga krijimet tonë të hershme në Jug dhe në Veri, veçmas këngët kreshnike, u kënduar nga këngëtarët popullorë dhe rapsodët, ndaj një pjesë e tyre arritën që të vijnë deri në ditët tona.

Interpretimi i këtyre këngëve, qofshin dhe të vona, pasi repertori i këngëve popullore është pasuruar dhe vazhdon të pasurohet në mënyrë të vazhdueshme, është një nga mënyrat më të rëndësishme dhe praktike që ato të përvetësohen nga njerëzit, të ngjallin emocionalitet, të krijojnë lidhje të forta me mesazhin që përcjellin, por dhe të hyjnë më shpejt dhe më mirë se çdo lloje arti tjetër në panteonin e vlerave kombëtare.

Asnjë lloj arti më shpejt se kënga popullore nuk i jep vlerat e duhura dhe në përmasën e duhur një këngëtari popullor, një rapsodi apo një solisti, sado i talentuar të jetë. Kjo tregon se sa e rëndësishme është përcjellja e kësaj vlere në mënyrë gojore dhe të ekzekutuar jo vetëm në skenat e mëdha, por dhe në mjediset e tjera familjare apo shoqërore.

I solla paraprakisht të gjitha vlerësimet dhe rëndësinë që mbartin ndërmjetësuesit e këngës popullore, duke  ekzekutuar ato pasi këngëtarja e polifonisë së Jugut, veçmas e këngës labe, Irini Qirjako, kurrë nuk do të ishte kjo, që është sot, nëse ajo nuk do të ishte një nga interpretet më të mira që sot ka kënga labe. Irini Qirjako është rritur dhe personaliteti i saj i padiskutueshëm prej artisteje të përmasave kombëtare është shpërfaqur duke kënduar këngën popullore, e cila në disa raste ka qenë e lashtë dhe e hershme, e në disa raste ka qenë produkt i kohës që jetojmë.

Lidhja e fortë me polifoninë e Bregut të Detit, veçmas me kulturën e këngës popullore të Labërisë, në të cilën spikat mjaft mirë lirizmi i thellë, lidhja e fortë me njeriun dhe marrëdhëniet shoqërore, me ngjarjet e hershme historike dhe ato të vona, me gëzimin e jetës, me lirizmin e ngrohtë, i cili natyrshëm shpjegon marrëdhëniet e njeriut me ekzistencën e tij dhe ngjarjet shoqërore, me epizmin dhe figurat e njohura popullore të kësaj treve të gjerë, duket se plotësojnë njëra-tjetrën.

Irini Qirjako i ngjan një gurre që gurgullon ujin e freskët të lartësive dhe fladin e detit. Ajo duket se është e paplotë nëse e gjen të veçuar nga kënga popullore e Jugut, por ndonjëherë dhe nga kënga epike e veriut, të cilën e këndon mrekullueshëm. Duke qenë një “ndërmjetësuese” e rëndësishme e këngës së lashtë të kënduar që nga kohët e hershme, veprimtaria e saj përbën një shërbim të shenjtë për këtë kulturë, pasi mjeshtëria e saj në interpretimin e këngës, duket se e arrin mjaft mirë komunikimin që një këngë kërkon të realizojë me dëgjuesin e saj.

Duke qenë se Irini Qirjako sot është një nga interpretueset më të rëndësishme të këngës popullore, polifonike të Jugut, jetëshkrimi i saj tregon se ajo është modeli i vërtetë, se si mund të shfaqet dhe duhet të rrugëtojë një talent i kësaj kënge, rrugëtimin që i është dashur të bëjë, këmbënguljen dhe forcën që i duhet për të shpërthyer. Talentet asnjëherë nuk e kanë pasur rrugën të lirë, burokracitë e çdo sistemi politik i kanë penguar ata për të dalë në dritë, por talentet e vërtetë kanë një karakter të fortë, ata i kthejnë në favorin e tyre dhe skenat e vogla, dhe orët e muzikës në shkollë për të shpërthyer.

Irini Qirjako është nga një familje minoritare e Finiqit, një trevë bregdetare, për të cilën ka dëshmi, interpretime dhe gojëdhëna të shumta, duke qenë dhe vendi i Pirros së Epirit, por dhe i Tempullit të lashtë Antik të Dodonës, me një teatër të përmasave të mëdha të kohës. Është nga vendi ku lirika popullore e lashtë nanuris ëmbël dhe bukur me një ndjeshmëri të thellë lirike. I gjithë ky mjedis natyror, historik dhe i një trashëgimie të njohur, duket se ka pleksur dhe te Irini Qirjako, e cila që në moshë të re do t’i ngjitej skenës, një talent të jashtëzakonshëm.

Vetë këngëtarja thotë për Finiqin e saj: “Kur isha fëmijë, kam qenë një natyrë shumë impulsive, shumë e përkëdhelur, kam nostalgji për çapkënllëqet e mia. Në këtë moshë babai më shpuri për herë të parë te muret arkeologjike të Finiqit. Nuk kuptova dhe nuk mbaj mend shumë gjëra nga ato që më tha babai. Më vonë më shpuri në Butrint me skaf. Për të më nxjerrë frikën, që ta mësoja shpejt notin, më hodhi në liqen, por unë nuk kisha frikë, më kënaqte uji…”.

Finiqi ka mbetur thellësisht në kujtesën dhe në shpirtin e këngëtares, duke qenë edhe një element i rëndësishëm i lidhjes së saj me këtë trevë dhe këngën polifonike të jugut. “Me kalimin e viteve, nuk mund të rri pa kujtuar vitet e fëmijërisë. Ato qëndrojnë brenda meje dhe zgjohen veçanërisht në takimet familjare me të afërmit, me bashkëfshatarët  e mi kur shkoj në Finiq në vendlindjen time. Aty çmallem me shkollën, fushën e fshatit dhe lumin e Bistricës”.

Irini Qirjako u rrit dalëngadalë edhe pse tabani i fortë i artistes së ardhëshme qe krijuar që në fëmijërinë e saj, nga familja, ku shembull për të është babai,për të të cilin thotë se “Nga vokali i kam ngjarë babait, i cili ka një zë brilant, zë kumues, shumë melodioz dhe një vesh absolute muzikorë.” Liceu artistik “Jordan Misja” do të ngjallë brenda artistes së ardhëshme këmbënguljen dhe besimin e plotë se ajo në të ardhmen do të bëhet e tillë. Janë pikërisht këto mjedise të nevojshme për të kuptuar rrugëtimin e talenteve. Një nga mësuesit e saj e kujton Irini Qirjakon për vullnetin, punën dhe talentin e saj.

Ish mësuesi Vasil Mema thotë:”…i kam dhënë katër vite mësim fizarmonike në Liceun Artistik. Mbaj mend se fizarmonikën e kishte me shumë dëshirë, studionte sistematikisht, ishte vajzë e talentuar, ndaj në diplomë luajti me nivel të lartë artistik “Minuet”, Bach,“Marshi turk” i Moxart, “Karnavalet e Venecias” të Paganinit, si edhe “Vallen qytetare” të Agim Krajkës”. (Sgih: F. Çaushi. “Edhe në ëndërr këndoj”. Tiranë, 2018.

Në këto mjedise të kulturës muzikore, ku kishin lindur dhe po rriteshin mjaft talente të njohura, Irini Qirjako do të kishte fatin të punonte dhe të merrte përvojë nga talente të tillë si solistja Justina Aliaj, sopranot Shqipe Zani, Edit Mihali, Nikoleta Shoshi dhe artistë të tjerë, që në mendjen dhe pasionin e nxënëses Irini Qirjako do të ktheheshin në vullnet të fortë për të shkuar përpara. Ka qenë pikërisht Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe skena e parë ku ajo ka kënduar edhe këngën polifonike, për të cilën ajo thotë:”Për herë të parë këngën polifonike e kam kënduar në Lice me Polikseni Çaçin, gjatë aksioneve, zborit ushtarak e në klasë gjatë pushimeve të ndryshme.

Kënga ime tërhoqi vëmendjen e pedagogëve dhe shoqeve, por askush nuk mendonte se do të merresha me këtë këngë.” Ndërsa në Institutin e Lartë të Arteve, Irini Qirjako ka treguar vullnetin e hekurt për të kënduar, pasi asaj iu dha e drejta e studimit në Degën e Kulturës dhe jo në kanto.  Në këto kushte edhe rrethana të vështira për pasionin e Irinit, që ishte kënga, ajo u aktivizua si këngëtare në anketat muzikore dhe në koncerte të ndryshme, me ç’rast ajo përvetësoi mjaft mirë teknikën e interpretimit që përbënte edhe bazën për një këngëtare.

Ndër njerëzit që e njohin dhe që kanë punuar me Irinin, zbulohet një fakt interesant, guximi për të qenë një artiste e vërtetë, të cilin ajo e ka ushqyer sa herë ka qenë mundësia. Gjatë kohës kur ajo punonte në Sarandë si stazhiere, duke mos mbaruar studimet për dramaturgji, Irini Qirjako ka luajtur rol drame në komedinë “Me plot dëshirë”, duke sjellë para spektatorit një personazh/e të natyrshëm dhe me një nivel të lartë artisti dhe për shkak të llojit dramatik të komedisë. Kjo tregon forcë dhe vullnet të madh, që zakonisht e kanë në punën dhe angazhimin  e tyre artistët e mëdhenj nëpër kohë.

Prova për të filluar punë në Teatrin e Operës dhe Baletit për Irini Qirjakon kalonte përmes një barriere të vështirë, përmes fuqisë dhe forcës së talentit që ajo kishte. Komisioni, që do të dakordësohej apo jo për artisten e re Irini Qirjako, për të punuar në institucionin më të rëndësishëm artistik të vendit , përbëhej nga Tish Daija, Gaqo Çako, Avni Mula, Panajot Kanaçi, Agim Krajka dhe mjeshtri i dirigjimit, Xhemal Laçi.

Ky i fundit i kërkon që Irini Qirjako të këndonte në ansambël, se sa koriste në Opera. Mjedisi me artistë të shquar, që nga Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Ramiz Kovaçi, Naile Hoxha, Sali Brari, Xhevdet Hafizi, Ibrahim Tukiçi, Hysni Zela, Fiqrete Kapaj, Garentina Gjoka, Zeliha Sina, Fatma Zyberi, Valdete Hoxha, Sabahete Vishja, Irma Libohova apo Merita Halili janë një shkollë e madhe për çdo artist në Shqipëri.

Irini Qirjako bëri të mundur që në momentet e para solli një realitet entuziast dhe gjeti mbështetje të madhe për mënyrën dhe shpirtin si ajo e këndonte këngën polifonike. Sa herë ajo këndonte “Këngët e Atdheut tim”, dukej se kënga merrte një dimension të ri.

Krahas kontributeve të shumta, Irini Qirjako është shfaqur si një artiste e madhe për këngën e kënduar polifonike. Ajo e njeh në rrënjë dhe në ind këngën polifonike të Jugut. Thellë shpirtit të saj të madh, kënga polifonike ka mbetur një gjallesë e shenjtë që e gjallëron dhe e freskon gjithë qenien e saj.

Ajo thotë kështu për polifoninë:”Kënga polifonike për mua është diçka e shenjtë, e pastër, autoktone, origjinale, pa sajesa. Unë e adhuroj këngën polifonike, jo vetëm për muzikalitetin e veçantë, të saj, por edhe për vlerat unikale që ajo mbart. Këngën polifonike e kam këngën e nënës, me të cilën jam rritur. Unë jetoj me këngën polifonike, e bëj pjesë të shpirtit tim”.

Kushdo që ka punuar dhe ka dëgjuar Irini Qirjakon në skenë, duke kënduar këngën polifonike nuk e ka harruar kurrë jo vetëm talentin e saj, por edhe dashurinë dhe pasionin me të cilin ajo e interpreton atë. Pjesa më e madhe e këngëve polifonike, të cilat janë kënduar nga Irini Qirjako, sot konsiderohen perla të kësaj kënge, bashkë me burimin e tyre të parë. Ç’këndon dhe nxjerr nga buzët Irini Qirjako, ato vargje dhe ato këngë shenjtërohen, thonë mjeshtërit e polifonisë. Irini Qirjako ka kënduar rreth 30 nga këngët më të rëndësishme të polifonisë, të vendosura në tri albume të mrekullueshëm.

Pjesëmarrëse në Festivalet Folklorike të Gjirokastrës, një përvojë për një artiste të këtyre përmasave, e nxitën atë, të gjurmojnë këngën popullore  edhe në mjediset familjare të fshatrave të Labërisë, ku këndohet në raste të shumta, në mbrëmje, nën hijet e pemëve apo në gëzime familjare. Ajo ka kënduar në Vlorë, në Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë, në Skrapar, ku i është kërkuar të këndojë me grupet polifonike të këtyre krahinave dhe trevave, por kur vjen momenti të flasë për këngën labe ajo thotë: “Kur këndoj polifoninë, ndihem labe, se kënga labe më ka rritur, më ka dhënë emrin në botë.

Aty jam duartrokitur si shumë artistë me emër. Në këngën polifonike ne jemi dirigjentë të njëri- tjetrit, sepse polifonia nuk ekzekutohet me partiturë, por me zërat tanë. Hedhësi dhe marrësi kanë një ndjeshmëri intonative perfekte, ndërsa kthyesi mban komandën, s’të lë të vithisesh.” Këngë të tilla si: “Vajzë e valave”, “Hyri prilli shkriu bora”, “Aman mike kapedane” e ndonjë tjetër, ngjajnë me simfoni të mrekullueshme, në mënyrën se si janë kënduar dhe si zërat krijojnë muzikalitetin e gjithë asaj që thuhet.

Irini Qirjako mbetet modeli më i mirë i artistit, këngëtarit/es së këngës popullore, jo vetëm të trevës ku këndohet polifonia, por gjithë kënga popullore shqiptare, e cila përveçse pëlqen burimin e këngës popullore, duke e shijuar atë me të gjithë larminë dhe origjinalitetin  e vet, por edhe në këngën popullore të përpunuar, ku bien në sy bashkëpunimet brilante me këngëtarët si: Ervin Bushati (Shkodër), Enkelejda Arifi (Çamëri), Vera Laçi (Dibër), Ylli Baka (Jug), bashkëpunime që e zgjerojnë spektrin e komunikimit të këngëtares së njohur.

Ashtu siç tingëllojnë mrekullueshëm dhe me gjithë jehonën e tyre këngët e burimit si: “Do marr çiften do dal për gjah”, “Çerçiz Topulli”, “Kënga e Selam Salarisë” e ndonjë këngë tjetër, por kaq bukur tingëllojnë edhe këngët “Lidhe qenin”, “Nusja jonë Çamëri”, “Më jep një pikë ujë”, “Llaj, llaj, llaj çobani”, apo “Të humbur dërgoni lajme”, deri në këngë të tjera si “Dhëndër të bën motra” e “Nuse, moj sorkadhe”. Skena e këngës ka lidhje të fortë me Irini Qirjakon, pasi nga skena ajo ka realizuar komunikimin më të rëndësishëm të aftësive që ajo ka për të komunikuar, pa harruar dimensionin njerëzor të saj. Pikërisht për skenën ajo shprehet: “E dashuroj skenën, është shtëpia ime ku gjej lumturi, dashuri, çlodhje, në të gjej gjithçka. Edhe në ëndërr këndoj. Ajo është jeta ime…”.

Irini është e kujdesshme dhe mban një lidhje të fortë me burimin e këngës popullore. Ajo nuk ka harruar kurrë kontaktet dhe bashkëpunimet me njerëz që i kanë shërbyer këngës popullore të Jugut, veçmas polifonisë. Personalitetin e njohur të polifonisë, njeriu që ka sjellë në vëmendjen edhe në skenat e këngës perla të Jugut, përmes një filozofie të rrallë, Lefter Çipa (“Mjeshtër i Madh”), ajo e vlerëson kaq mjeshtërisht kur thotë: “Një grusht njeri është, por pot a shtrydhësh, qindra motive folklorike kullon!

Kontributi i tij në kulturën kombëtare me artin popullor burimor është i pashembullt. Çdo varg i tij bie erë Shqipëri”. Dhe sjell në vëmendje këngë të tilla si “Bejkë e bardhë”, “Njëzet e tetë mijë yje”, “Naim bukuria”, “Këngët e Atdheut tim” dhe këngë të tjera, veçanërisht ato lirike të grupit të Pilurit. Irini Qirjako e njeh me themel, historikisht dhe shkencërisht polifoninë. Ja ç’thotë për këto vlera të mëdha ajo: “Jam krenare, që vlerat tona kulturore, janë të jashtëzakonshme në raport me artin popullor botëror”.

Kënga polifonike dhe këngëtarja e shquar Irini Qirjaku gjatë gjithë kohës që ata janë marrë me njëra-tjetrën duket se kanë plotësuar po njëra- tjetrën. Ajo i ka krijuar mundësinë Irini Qirjakos të nderojë jo vetëm trevën e këngës polifonike, por gjithë vendin. Turnetë ndërkombëtare zënë një vend të rëndësishëm në jetën e Irini Qirjakos, por edhe në pasurimin e polifonisë shqiptare. Duke e prekur këtë realitet, ku dinjiteti i vendit të saj rritej nëpër botë dhe përmes kulturës, këngës dhe artit, ajo i është përkushtuar mjaft këngës popullore polifonike për një periudhë mbi 40 vjeçare, duke pasur sukses në mënyrë të vazhdueshme.

Në turneun e Turqisë në vitin 1979, Irini Qirjako, duke qenë edhe pjesë e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo kupton sa vlerë ka kënga e vendit të saj, Koncertet në Kershehit, në Ankara, në Ajdin, në Germenxhik, në Selçuk e Bergamas, interesimi i njerëzve për t’i dëgjuar dhe parë artistët shqiptarë, shtypi i shkruar dhe vlerësime të tjera të njerëzve të artit dhe kulturës në këtë vend, përbëjnë hapa të rëndësishëm në jetën e artistet në skenat e huaja, rrugë që do të ishte e gjatë dhe e vazhdueshme.

Franca të ngjall gjithmonë një ndjesi përgjegjësie. Vendi i letërsisë dhe kulturës nuk kalohet lehtë. Franca e vitit 1980, kur edhe Irini Qirjako shkon për koncert bashkë me Ansamblin Shtetëror, ruante shijen e mrekullishme të “Gjerdanit të Artë” të vitit 1970. Irini kujton për këtë turne:”Ishte hera e parë që shkoja në Francë dhe u magjepsa. Por edhe artistët e tjerë, që kishin qenë më parë, kishin po ato emocione dhe përgjegjësi.

Përfaqësonim vendin tonë në kryeqendrën e kulturës europiane, ndaj edhe mobilizimi shpirtëror ishte në kulmin e tij”. Kështu, koncertet në Lion, Shambëri, Ongen, Vezinet, Ierre, La Roshel edhe ai në teatrin e madh të Elizesë, ku shkëlqenin emra të njohur si: Irma Libohova, Arif Vladi, Vaçe Zela, Ndue Shyti, Gaqo Çako, me një repertor të plotë nga Shqipëria, ishte një sukses i rëndësishëm jo vetëm për këta artistë, por edhe për kulturën shqiptare në një vend të tillë.

Në vitin 1981, Irini Qirjako ka qenë në turneun e Greqisë. Në tokën e kulturës antike gjithmonë ka emocione dhe kujtesë të nevojshme. Ajo thotë për këtë rast: “Kisha lexuar dhe dëgjuar shumë për kulturën e antikitetit grek, për Homerin, Eskilin, Aristotelin, Safon, mitologji e legjenda të shumta dhe përfytyrimet e mia mbi këtë botë të moçme ishin sa kureshtare aq edhe të mangëta…” Dhe s’kishte si ndodhte ndryshe.

Tablonë e këtij turneu e plotësojnë koncertet në Kostur, Grevena, Halkidha, Kryekuq të Vidhës dhe ai i Athinës në teatrin e madh veror “Veokio”. “Këngët e atdheut tim”, “Lunxhëri krahinë e bukur’, të cilat këndoheshin nga Irini Qirjako, përbëjnë edhe një vlerë të re të polifonisë në atdheun e kulturës së përjetshme, por edhe të vendit ku kontribuojnë me mijëra e qindra mijëra arvanitas, çamë dhe arbëreshë.

Në Gjemani, turneu i vitit 1983 i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore kishte artistët e njohur si Vaçe Zela, Liljana Cingu, Besim Zekthi, Rexhep Çeliku, Irini Qirjako, Fiqerete Kapo, Valdete Hoxha, Liri Rasha, Arif Vladi, Enver Birko, Lindita Kaimi, Xhulieta Doko, Agim Krajka, Lulzim Cara, Qerim Xhihani dhe shumë të tjerë.

Turneu në Gjermani kishte një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, pasi përveç paraqitjes në një aktivitet ndërkombëtar në një vend perëndimorë, ai zhvillohej në një vend ku kishte kaq shumë shqiptarë nga trojet tona kombëtare. Pas koncertit në Teatrin Kombëtar të Bavarisë (Munih), do të zhvillonte turneun e shfaqjeve në Nurenberg, në Manhaim, Dyseldorf, Hamburg dhe Bremen, nën një atmosferë vëllazërore dhe kushtrimore me shumë shqiptarë, emigrantë të Kosovës në Perëndim.

Ngjarjet tragjike të vrasjes në atentat nga UDB-ja jugosllave e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, kishte krijuar një ndjenjë të theksuar solidariteti të shqiptarëve në gati gjithë Europën Perëndimore.

Irini Qirjako tregon detaje interesante nga ky turne vërtetë i rëndësishëm jo vetëm për artisten e madhe, por edhe të Ansamblit: Ajo kujton: “Në koncerte, krahas një publiku të gjerë gjerman, merrnin pjesë edhe punonjës të artit, gazetarë, punëtorë, studentë dhe shqiptarë nga Kosova, që punojnë në Gjermani, Belgjikë, Zvicër, Francë, Austri dhe Holandë.

Çdo mbrëmje, para se të fillonte koncerti, na prezantoheshin grupe spektatorësh: arbëreshë nga Italia, madje nga Nju Jorku, Detroidi dhe qytete të ndryshme nga Amerika. Një pjesë e ndiqnin ansamblin edhe në qytete të tjera, në distancë prej qindra kilometrash…”.

Një grup koncertesh në Itali, gjithmonë është një moment i rëndësishëm për një artist të skenës, pasi një artist i skenës komunikon shumë më shumë se një shkrimtar apo poet, gazetar apo studiues me masën e madhe të njerëzve që i ndjek. Në tetor të vitit 1985 në Itali, Shoqëria Kulturore “Galileu” dhe Ministria e Turizmit organizoi në Firence Festivalin e 9-të Ndërkombëtar Folklorik ku morën pjesë vende si: Suedia, Greqia, Italia, Portugalia, Franca dhe ndonjë vend tjetër. Firence është një panteon i rëndësishëm i kulturës botërore edhe ky është një eveniment i madh për çdo artist, valltar apo instrumentist që ngjitet në këtë skenë.

Ansambli shqiptar e shndërroi në turne këtë rast. Artistët shqiptarë, bashkë me ta edhe artistja e madhe Irini Qirjako zhvilluan koncerte në Ferraro, Trieste, Firence, Romë, Borgo, San Lorenzo, Torino, Leçe, Bari, Palermo e në ndonjë qytet tjetër, ku padyshim nuk munguan spektatorët arbëreshë, të cilët kishin rastin të takoheshin me kulturën e tyre të hershme, një pjesë të së cilës e kishin marrë më vete dhe përpiqeshin ta ruanin akoma. Timbri, këngët, tradita polifonike e këngëve të Jugut, nga janë pjesa më e madhe e arbëreshëve, i afroi ata më shumë me atdheun e të parëve.

Gazeta të shumta, mediet vizive dhe agjencitë e lajmeve e ndoqën dhe e publikuan si sukses gjithë turneun e Ansamblit shqiptar, ku padyshim Irini Qirjako shkëlqeu si një artiste e re dhe mjaft e ngrohtë me publikun, falë talentit dhe mjeshtërisë në këndimin e polifonisë së Jugut në këto mjedise dhe skena.

Tashmë ka një traditë të mrekullueshme, natyrisht e trashëguar dhe nga përvojat e të kaluarës, që kulturën tradicionale të vendlindjes apo të të parëve, komunitetet e jugut e marrin më vete dhe përpiqen ta mbajnë gjallë, pavarësisht rrethanave, emigrimeve dhe migrimeve.

Në Tiranë tashmë funksionon Grupi Polifonik “Tirana”, në të cilin kontribuojnë artistë të tillë si: Margarita Kristidhi (pianiste), solistët si: Irini Qirjako, Ylber Gjini, Gramoz Gjini, Niko Vasili, Shezai Këlliçi, Edmond Lila, Luan Sula, Dionis Delia e të tjerë, të cilët kanë arritur të përcjellin autenticitetin e tij dhe të kulturës së kënduarit polifonik në Francë, Spanjë, Suedi, Spanjë, Holandë, Gjermani, Itali e gjetkë gjatë një kohe 10 vjeçare.

Grupi shënon ngjarje artistike dhe koncertore në Touloose, Mantypelier, Marsejë, Toulon, Cannes, Nicë, Menton, ku shkëlqen opinioni profesionit si: “Grupi polifonik shqiptar, me solisten e mahnitshme Irini Qirjako, ka vezulluar si një yllësi”, sipas një gazete franceze të kohës.

Veprimtaria e grupit nuk ka kaluar pa vëmendjen e muzikantëve të njohur të këtyre vendeve ku ai ka dhënë koncerte. Vetëm gjatë vitit 2000 grupi polifonik “Tirana” ka dhënë shtatë koncerte në Francë e Gjermani, ndërsa në vitin 2003, tetë koncerte në Holandë dhe Belgjikë, ku talenti dhe vokacioni i Irini Qirjakos ka shkëlqyer.

Pas viteve ‘90-të, kur plaga e hershme e emigrimit u shfaq me një ashpërsi të madhe, lidhjet e shqiptarëve me Perëndimin u bënë më të prekshme. Kjo plagë e thellë ishte e tillë edhe për njerëzit e kulturës. Natyrisht edhe Irini Qirjako e ka ndjerë këtë në të gjithë përmasën si një artiste, një këngëtare që i ka kënduar kësaj plage të shoqërisë që kullon dhimbje prej shekujsh.

E pakursyer kurrë për t’u ngjitur në skenë me grupe të tilla si atë të këngës polifonike të Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Tepelenës, Tiranës apo edhe ndonjë tjetër, ajo ka prekur skenat e tillë si në Rumani, Kalabri, Athinë, Kanada, bashkë me artistë të përmasave kombëtare si: Gëzim Kruja, Zyliha Miloti, Agron Llakaj, Valbona Mema, Ardian Trebicka, Lili Cingu, Agron Hamo, Afrim Agalliu, Muharrem Hoxha, Vitore Rusha, Spiro Roko, Eli Fara, Muhamet Lika, Mane Lumani, me grupin “Tirana”, grupin e familjes Qerimi, grupin e minoritetit grek Finiqi, grupin polifonik “Kurveleshi në këngë”, grupin polifonik të Lunxhërisë etj.

Artistja Lili Cingu kujton një nga këto koncerte, atë të Kanadasë në vitin 2011, për të cilin thotë: “Me rastin e festës së flamurit, në vitin 2011, në Kanada na ftuan për një koncert. Në banketin e madh morën pjesë 800 veta, Koncerti vazhdoi deri në dy të mëngjesit. Entuziazëm i madh, njerëzit dëfrenin se ndjeheshin ato çaste si në Shqipëri. Epiqendra u bë Irini, nuk lodhej së kënduari dhe së takuari të gjithë në sallë gjatë këngës. Buzëqeshjet e saj dukeshin se u jepnin optimizëm pjesëmarrësve.

Aty pashë sa e deshën këngën polifonike dhe përfaqësuesen më të denjë të saj nëpër botë. Ngriheshin dhe futeshin në grup për të kënduar së  bashku me Irinin. U dukej se aty gjetën Shqipërinë. “Në të vërtetë këto janë momente brenda të cilëve ka një lidhje të fortë kulturologjike, genetike dhe të historisë së shumë njerëzve, familjeve të tyre që kanë qenë të detyruar të emigrojnë që herët apo dhe më vonë.

Irini Qirjako kujton me këtë rast: “Në koncertet me emigrantët në Kanada, pa folur për duartrokitjet e zjarrta, mirëpritjen e ngrohtë, gjallërinë shqiptare, forcën organizative të Antigoni Gaçes, të Rukie Kondos, apo të Dianës dhe Bertit, më është dhënë mundësia të takoj miq të larguar prej kohësh nga Tirana, si edhe të njoh edhe miq të rinj…”.

Irini Qirjako nuk i ka shkëputur kurrë marrëdhëniet me kolegët, por as me trevën e saj, ku ajo nisi rrugën si artiste. Në kujdesin e saj ishin njerëzit e dijes dhe kulturës, nderimin e tyre, duke parë tek ata vlerën e kohës, tabanin kombëtar dhe një dimension shpirtëror kombëtar. Ajo ka nderuar përherë artistët sarandiotë, me të cilët ka një lidhje të fortë shpirtërore, artistin e Popullit Agron Alia, personalitete të tillë si Kiço Kapetani, një këngëtar i polifonisë së jugut, fabulistin Vasil Gjivogli, por edhe në evenimente të caktuara të personaliteteve të dijes.

Jo vetëm aftësia dhe talenti për të hyrë brenda organizmit të këngës polifonike, por shpirti i madh shpërthyes, ndjeshmëria jetëdhënëse, vitaliteti dhe tiparet psikologjike të lindura bashkë me të, kanë bërë atë një interpretim brilant të këngës polifonike. Por një motiv jashtëzakonisht i rëndësishëm për artisten është spektatori, të cilin ajo e konsideron frymëzim.

Ajo flet me një sinqeritet të jashtëzakonshëm për këtë lidhje të fortë: “Kur spektatori më duartroket, më duket sikur fluturoj. Për spektatorin shqiptar kam dyfish përgjegjësi, para atij u bëra artiste. Është detyra ime të përcjell artistikisht trashëgiminë kulturore dhe artistike të popullit tonë, që brezat e rinj ta njohin dhe ta duan këtë pasuri, që flet për një popull artist, me ndjenja të pasura artistike dhe estetike, me kulturë qytetare të ardhur nga shekuj”. (F. Çaushi: “Edhe në ëndërr këndoj”. Tiranë, 2018.

Irini Qirjako është edhe një personalitet publik, e cila mban lidhje dhe merr pjesë në gjithë evenimentet kombëtare, lokale dhe krahinore, të cilat ajo i vlerëson. Ajo është një veprimtare shoqërore e shkëlqyer. Studiuesit dhe monografët (Shih. “Edhe në ëndërr këndoj”, Tiranë, 2018. Fitim Çaushi) pas një njohjeje të thellë të shpirtit dhe psikologjisë së artistes shkruan: “Ajo (Irini) ka një konstrukt shpirtëror shembullor, me vlera të rralla humane.

Ndien respekt të veçantë për dëshmorët e kombit dhe ata të Luftës Nacionalçlirimtare, si edhe për veteranët e luftës dhe të punës”.  Irini Qirjako është modeli i përkryer i njeriut që është artist, i cili ruan ekuilibrat jetësorë me familjen dhe me njerëzit. Familja për të është e shenjtë edhe thelbi i ekuilibrit që një njeriu i duhet në jetë për t’i mbajtur këmbët në tokë. Ajo i është dedikuar dhe gjithçka ka arritur i ka dhënë dhe i jep vlerë kombëtare shqiptare.

Pohimi i saj se: “Jam lindur nga prindër minoritarë, por nuk e mohoj kurrë Shqipërinë. Në këtë vend kam lindur, jam rritur, dhe jam bërë artiste. E dua kaq shumë Shqipërinë, sa nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër të botës. Koka më ka rënë këtu në Shqipëri, në vendin tim, këtu duhet t’i përgjigjem këtij vendi, në të mirë e në të keq, këtu ndihem krenare”, përbën gjithë dimensionin e saj si artiste, intelektuale, si familjare edhe si njeri.

Finiqi i saj është vendi më i bukur dhe më i dashur në botë. Ajo i do finiqasit e saj, sikundër edhe ata e duan, aq sa grupit polifonik të fshatit i kanë vënë emrin Irini Qirjako. Një nderim që flet më shumë se shumë gjëra të tjera, një dashuri e pambaruar kurrë me vendin e saj, por edhe të njerëzve të saj ku ajo lindi dhe nisi rrugën e madhe të skenës dhe këngës polifonike.

Krahas gjithë vlerësimeve nga artistë, muzikantë, njerëz të kulturës në botë, publicist, mjeshtër të korit, solistë, dirigjentë, shkrimtarë dhe poetë, solistë operistikë, Irini Qirjako është nderuar me Urdhrin “Mjeshtre e Madhe”, dhënë nga Presidenti i Republikës Alfred Mosiu, me motivacionin: “Për nivel të lartë artistik në interpretimin e këngës popullore sidomos të Shqipërisë së Jugut, dhe për kontribut të shquar në transmetimin e saj në breza të rinj”. Zëri dhe talenti i Irini Qirjakos është i përfshirë në trashëgiminë më të mirë të kulturës shqiptare, të polifonisë shqiptare, e cila sot ka mbrojtjen e UNESKO-s, e regjistruar në dhjetëra disqe dhe mjete të tjera brenda edhe jashtë vendit.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re