Mospërfundimi i seancave nga Kuvendi i Kosovës për mungesë kuorumi, i ka dhënë shkas nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri të ironizojë jo pak me institucionin ligjvënës.

“Unë besoj se Kuvendi i Republikës tashmë i ka plotësuar kushtet që të hyjë në Guinness. Katërmbëdhjetë seanca i ka të ndërprera, fillon e rifillon seanca pa e përfunduar, pa votuar, pa kuorum, në një menaxhment dhe menaxhim jashtëzakonisht shqetësues dhe për ne, në fakt i bie edhe ofendues”, ka thënë Haziri në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”.

Ai më tej jep kritika edhe për kryekuvendarin Kadri Veseli dhe Kryesinë e Kuvendit për zbehje të imazhit të këtij institucioni.

“Një kryetar i Kuvendit dhe një Kryesi e Kuvendit, që nuk e harmonizon rendin e punës, dhe nuk sjell vendimmarrje, e sjellë Kuvendin e Republikës në pikëpyetje, jo vetëm për imazh të Republikës sonë, por edhe kredibilitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Haziri.

Ai shpreson se kjo nuk po bëhet qëllimisht në mënyrë që të devalvojë Kuvendi dhe të forcohen institucionet tjera, siç është qeveria.

“Dua të besoj që nuk është duke u bërë me qëllim, sepse nganjëherë përshtypja është se qëllimisht po devalvohet roli i Kuvendit të Republikës, për t’u forcuar institucionet e tjera, qoftë ai i qeverisë apo Presidencës. Por, në këtë situatë opozita të vetmen arenë politike që e ka, e ka Kuvendin. Kuvendi duhet të jetë funksional dhe vërtet të mos hyjë në Guinness për të keq”, ka pohuar Haziri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re