Mund të ngjajë paksa ironike por një ditë para vrasjes makabre të 23 vjeçares Sabrina Bengaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përjashtuar nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin Piro Sota për 15 vite.

Ky i fundit ka dhënë dorëheqjën për t’i shpëtuar ‘sitës’ se vetingut, vendim ky që automatikisht ndalon kontrollet e organeve të vetingut për subjektin në fjalë duke e përjashtuar atë nga drejtësia për 15 vite. (Dokumenti i plote)

Piro Sota akuzohet se ka liruar padrejtësisht 31 vjeçarin Elton Meta, i cili vrau pabesisht ish-gruan e tij në shtëpinë e ish-vjerrit teksa hante darkë.

Eltoni dhe Sabrina janë prindër të një vajze të mitur, që sipas familjarëve të viktimës nuk ishte ndaluar që të takonte të atin e saj, pavarësisht dhunës dhe problemeve që ai kishte shfaqur.

Një vit më parë, autori i vrasjes kishte marrë peng ish -gruan dhe familjen e saj , duke i frikësuar për disa orë, çka tregon se kemi të bëjmë me një vrasje të paralajmëruar.

Mirëpo ai arriti t’i shpëtojë burgut falë kërkesës së prokurorit Çlirim Sino dhe vendimit të gjykatësit Piro Sota, të cilët kërkonin lirimin e personit në fjalë për shkak ‘ të gjendjes së rënduar mendore’. (Lexo ketu)

Fax News mëson se ka qenë prokurori Çlirim Sino ai që i kishte kërkuar Gjykatës që Metaj të çohej në spitalin e burgut të Zaharisë për shkak se sipas tij ishte i sëmurë mendor, fakt që kundërshtohet nga persona të tjerë brenda institucionit të drejtësisë.

Pavarësisht rrezikshmërisë që paraqiste, Metaj u lirua nga burgu i Zaharisë me pretendimin se do të kurohej në kushte shtëpie. Pavarësisht se sipas ekspertëve Metaj nuk vuante nga probleme të shëndetit mendor, në mënyrë të dyshimtë ai u lirua, dhe që prej Korrikut duket se planifikonte vrasjen e ish-bashkëshortes, dhe kërcënonte edhe familjen e saj.

Akuzat mbi gjyqtarët dhe prokurorët i konfirmoi i tronditur pas ngjarjes dhe vëllai i Sabrinës, i cili tha se pas lirimit Metaj kishte kërkuar që të vriste dhe vetë atë. Siç është zakon në ngjarje të tilla, reagimet për Sabrinën do të përfundojnë brenda ditëve, por ajo që mbetet është fakti se 23-vjeçarja nuk është vetëm viktimë e armës së shtënë nga ish-bashkëshorti i saj, por edhe institucioneve që mbyllin sytë përpara fakteve ulëritëse. (Lexo edhe)

Piro Soto është një personazh i lakuar në sistemin e drejtësisë për vendime skandaloze. Në 31 janar të këtij vitit, gjyqtari Sota liroi nga burgu tre të akuzuar për vrasjen e 57-vjeçarit Pelivan Sinanrrapaj. Të liruarit janë Ferdinand Merkaj, Fitim Zekaj e Festim Alimerkaj, me argumentin se nuk paraqesin ‘rrezikshmëri shoqërore’. Për 3 të dyshuarit prokuroria kërkoi masën arrest me burg për ngjarjen e rëndë në Ballash, duke paraqitur pamje filmike dhe dëshmi për dhunën që i shkaktoi më pas vdekjen të ndjerit, por gjyqtari Sota i la jashtë dyerve të burgut. Pas publikimit të skandalit në media, Gjykata e Fierit u vu në lëvizje, duke rikthyet në burg të akuzuarit për vrasjen e Ferdinand Merkajt.

Në tetor të vitit 2019, Piro Sota, liroi nga burgu anëtarin e Bandës së Durrësit, Sardian Sulejmanin, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Avni Gashit në tetor 2005 në Tiranë si dhe për dy atentate ndaj kreut të bandës, Lul Berisha, pas përçarjes së bandës. Sota i fali 5 vite burg Sulejmanit, me argumentin se ka babanë vetëm.

Në shtator të vitit 2018, Sota liroi nga burgu me kusht Ermal Hoxhën, nipin e diktatorin Enver Hoxha, i dënuar me 6.8 vite burg për trafik droge, konkretisht për dosjen ‘Xibraka’. Ermal Hoxhës i kishin mbetur edhe 1 vit e 8 muaj burg, por gjyqtari Piro Sota i hapi derën e burgut.

Gjyqtari Piro Sota ka marrë pjesë edhe në lirimin nga burgu të Fatmir Kajollit, mikut të Fatmir Mediu, i dënuar në Itali dy herë me 40 vite burg si pjesë e një organizate kriminale të narkotikëve. Fatmir Kajolli nuk bëri më shumë se dy vite burg në Shqipëri falë gjyqtarit Piro Sota. Ky i fundit mori tre vendime duke i ulur vitet i burgut Kajollit deri kur e liroi nga qelia më 19 mars 2018. Sota liroi Kajollin duke e cilësuar të kryer dënimin e tij, pasi sipas tij kishte qëndruar 2 vjet në qeli, kishte përfituar dy vjet nga amnistia, kishte përfituar 90 ditë ulje dënimi për sjellje të mirë dhe i llogariti edhe kohën e paraburgimit.

Në vitin 2015, gjyqtari Piro Sota i ka hequr nga lista e personave në kërkim Thoma ose Armand Shkurti, i dënuar me 12 vite burg për “Shfrytëzimi i prostitucioni”. Më parë, Piro Sota i ka njohur Armand Shkurtit njohjen e shlyerjes së dënimit, pa bërë asnjë ditë burg, pasi kishin 10 vite dhe Shkurti nuk ishte kapur nga policia.

Gruaja që filmoi ish- kreun e Gjykatës së Gjirokastrës Guximtar Boçi, i cili i kërkonte favore seksuale që të jepte jë vendim në favor të saj, ka akuzuar Piro Soton se ka bashkëpunuar me Boçin për t’i mbyllur dosjen. Dhe në fakt, Guximtar Boçi i shpëtoi ndëshkimit falë Gjykatës së Fierit.

Në vitin 2014, Piro Sota u denoncua nga Saimir Tahiri, në atë kohë ish ministër i Brendshëm, për lirim nga burgu të të arrestuarave nga policia për vjedhje. Në qershor të këtij viti, gjyqtari i Fierit, Piro Sota, u akuzua nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi për lirimin një personi të arrestuar për armëmbajtje pa leje, në bashkëpunim me prokurorin Erind Rahovica. Duke se vendimi i denoncuar nga ministri Çuçi ishte një vendim rutinë e gjyqtarit Piro Sota.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re