Ministri për Diasporën, Pandeli Majko ka ofruar të dhënën e panjohur deri më sot, sipas të cilit më shumë të burgosur shqiptarë gjenden jashtë kufijve se sa brenda.

“Sipas statistikave, në Greqi janë rreth 1655 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptarë të burgosur nga të cilët 100 në paraburgim. Në Gjermani janë 768 shtetas shqiptarë të burgosur, në Britani 750 vetë, në Holandë 92 vetë ndërsa në Austri rezultojnë 52 shtetas shqiptarë të burgosur ose në paraburgim. Këto statistika i përkasin llogaritjeve deri në shtator 2017… Ekzistojnë shumë instrumenta juridike ndërkombëtare të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut por shumica e të dënuarve jashtë vendit nuk i njohin ato. Ata shpesh janë viktima të avokatëve të padobishëm vendas apo keqtrajtimeve ndaj të cilave nuk kanë as ku të ankohen”, tha ministri i Diasporës, duke qenë mjaft kritik ndaj shtetit shqiptar sa i përket ndjeshmërisë ndaj çdo shtetasi të saj që jeton jashtë, qoftë dhe i burgosur.

“Administrata shqiptare është ende e përgjumur në marrëdhënie me diasporën. Një pjesë e saj vepron mbi parimin se detyrimet e saj të shërbimeve me qytetarët kufizohen mbi taksapaguesit që jetojnë në territorin e vendit. Një komb i cili jeton i shpërndarë në një hapësirë të pakufizuar nga konceptet e sovranitetit të një shteti duhet të “rishpikë” vetveten. Pranoj pyetjen dhe ironinë që pse duhet ta fillojmë me të burgosurit këtë? Përgjigja është e thjeshtë. Në se nuk do të jemi njerëz karshi atyre që kanë më shumë nevojë nuk mund të bëhemi dot përfaqësues të interesit shtetëror jashtë vendit”, është shprehur Majko në fjalën e tij gjatë tryezëës “Mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit”.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re