Nga Blendi Gashi

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka lënë anash armiqësinë me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, të cilit i shkoi të martën në shtëpi, sigurisht larg syrit të mediave.

Kurti, në foton e postuar në Facebook shihet i lumtur me pritjen që ja ka bërë Mustafa, ndërsa ka paralajmëruar se së bashku me të synojnë të vijnë në pushtet.

“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore”, shkruan Kurti në Facebook.

Edhe Mustafa përmes një statusi në Facebook thotë se janë marrë vesh me Kurtin që të intensifikojnë bashkëpunimin opozitar.

“Sot u takuam me z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe biseduam për shumë tema që e rëndojnë aktualitetin në Kosovë. Shprehëm gatishmërinë të intensifikojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalet sa më shpejtë. Vlerësuam bashkërisht se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë, për ndryshime”, shkruan Mustafa.

Kjo miqësi mes tyre mund të duket jo e denjë nga shumëkush, duke ditur se në kohën e qeverisjes së vendit nga LDK, dy politikanët në fjalë drejtuan akuza të rënda mes vete.

Ndërsa Kurti tani i shkon si mysafir Mustafës në shtëpi, këtë nuk e bënte gjatë protestave që organizoi partia e tij bashkë me AAK-në e NISMA-n, ku protesutesit e sulmuan shtëpinë e Mustafës në Prishtinë, si dhe goditën me vezë të prishura veturën e tij derisa ai po shkonte në televizionin publik për një intervistë.

Aktivistët e Vetëvendosjes nuk u ndalën me kaq. Ata u nisën drejt fshatit të lindjes së Mustafës në Prapashticë të Prishtinës ku tentuan ta zbatojnë planin e tyre për ta vendosur pankartën me mbishkrimin “Isa Ranch, Shiti Pronat Tua Jo të Kosovës” para shtëpisë së kreut të LDK-së por u penguan nga policia.

Ndaj këtij aksioni të Vetëvendosjes reagoi atë kohë ashpër Mustafa, i cili i quajti fashistë, kriminelë dhe kmerrë të kuq me yll në ballë aktivistët e Vetëvendosjes, për të cilët ka thënë se ja kanë traumatizuar nipërit dhe mbesat e tij.

“Krerët e Vetëvendosjes me militantët e tyre atakuan, rrezikuan dhe shqetësuan familjen time të ngushtë dhe të gjërë në shtëpitë dhe pronat e tyre në Prapashticë. E penguan lirinë dhe privatësinë e tyre, frikësuan dhe traumatizuan mbesat dhe nipërit e mi, fëmijë të vegjël. Ata, të moshes dy, pesë e tetëvjeçare nuk e kuptojnë se dikush mund të dhunoje të drejtën e tyre, qetësinë dhe sigurinë në kopshtin, në hululajat e tyre. Nuk e kuptojnë se në këtë vend ka kriminel të fshehur pas petkut politik, djem e vajza të nënave e baballareve që i japin të drejte vetit të shkelin mbi të drejtën e femiut, mbi të drejtën e familjes, mbi të drejtën e pronës”, reagoi Mustafa.

Kreu i LDK-së, më pas në intervistën e dhënë më 27 gusht të 2015-tës në emisionin “Debat” të RTK-së, pa ia përmendur emrin, Albinit e ka quajtur “gomar të Zajednicës”.

“A e di kush cka ka ky gomari i Zajednices me djemt e mij??? Te drejtohet kah unë Ukshi se e ka humbur rrugën” (sic.), shkruajti Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Por këtij ofendimi të Mustafës nuk ju përgjigj njejtë Kurti i cili deklaroi se nuk është prekur nga krahasimi me gomarin që ia bëri Mustafa dhe se nuk mund të përdorë të njëjtën gjuhë me të.

“Nuk jam prekur nga krahasimin me gomarin. Ai ka filluar të flas edhe me kafshët. Ai nuk është njeri serioz. Unë nuk mund të lëshohem në gjuhën e tij i cili po flet si të ishte pronar rënçi e herë fermerë. Duke përdorur terme të faunës. Bashkë me djalin e tij. I ashtuquajturi akademik Mustafa nga Prapashtica i ka befasuar të gjithë me gjuhën e ndytë dhe të ulët. Ai nuk po flet si kryeministër, prandaj duhet të japë dorëheqje dhe nëse nuk jep dorëheqje, duhet të rrëzohet nga populli i Kosovës. Ai duhet të shkojë në ‘Zajednicë’ pasi në Kosovë nuk po i mbetet vend për të. Ai po na sjellë në një periudhë më të errët dhe më të zezë sesa në kohën e Rrahman Morinës”, deklaroi Kurti në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Por Kurti më 23 shkurt të 2016-tës e quajti “qyqan” Mustafën derisa foli për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“E kam përcjell nga Burgu i Sigurisë së lartë, ku këtu në këtë emision (Click RTV21) pra juve treve (udhëheqësit të emisionit dhe të ftuarve), ai (Mustafa) tregon se Vuçiçi ia kishte treguar disa fotografi të shkatërrimit të kishave ortodokse në Kosovë, e Mustafa ishte ndjerë në siklet dhe ju se hapet fare gojën por e ulet kokën. E unë i kisha thënë po ti o qyqan ku i kishe fotografitë të tregoje për krimet e Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

Kujtojmë se ndaj takimit Kurti-Mustafa ka reaguar deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka i cili thotë se “Albin ‘patrioti’ e ‘parimori’, i bien në gjunjë ish-ministrit të Rrahman Morinës, Isa Mustafës, për të ndërtuar bashkë pushtet!!!”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re