Dalja nga parlamenti dhe mos futja në zgjedhjet e vitit 2017 e kanë vendosur Partinë Demokratike në një moment shumë të vështirë.

Kështu është shprehur Edith Harxhi ish-anëtare e kryesise, e këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ish-zëvendës ministre e Punëve të Jashtme në një bisedë me Endri Xhafon në ABC.

“Djegia e mandateve dhe vendimi për të mos u futur në zgjedhje e kanë lënë PD në një moment shumë të vështirë, pa pushtet, edhe pa pushtet lokal.

Mendoj që mosqenia në pushtetit lokal është shumë shqetësuese. Në 60 bashki, PD nuk po kontrollon asgjë.”

Ndërsa, e pyetur nëse dështuan Basha dhe aleatët që ta largonin Ramën pasi ky i fundit kishte edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, zonja Harxhi tha se PD, dështoi jo për një, por për disa arsye.

“ PD dështoi, për dy tre arsye. E para ishte vendim personal i kryetarit të partisë për të djegur mandatet. E mori pa konsultim me forumet e partisë. Ka pasur edhe kryetarë të partive më të vogla të opozitës që nuk e kanë dëshiruar si hap. Mediu mori disa ditë dhe u mundua ta bindte.”

Por sa janë shanset reale që PD t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit?

Edith Harxhi thotë: “I besoj shumë faktit që një angazhim i madh popullor, për të rrëzuar qeverinë Rama bëri të mundur që PD të vijonte dhe të mos humbiste shpresë.

Ka një zhgënjim shumë të madh për qeverinë Rama, por nuk shoh të ketë frymë për shpresë nga opozita.”

Sipas saj, sondazhet tregojnë se një pjesë e madhe e shqiptarëve janë të pakënaqur me opozitën. “PD dhe kryetari i saj nuk kanë arritur t përforcojnë frymën e ndryshimit.”

“Unë shoh numrat në anketa, aktualisht sondazhet që bëhen dhe shoh një përqindje të madhe që janë të pavendosur, jo vetëm elektorati gri apo edhe të djathtë.”

Harxhi u shpreh se nuk është e sigurt se kush do ta qeverisë vendin pas 25 prillit, ajo shtoi se do të donte shumë që të ishte PD, por duket se nga sondazhet e kryera deri më tani, realiteti mund të jetë krejt tjetër.

Ndërsa, duke folur për situatën paszgjedhore në Kosovë, ish-anëtarja e këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike tha se nuk beson se Kurti do të bëjë koalicion me AAK. Sipas saj, shanset janë më shumë që kjo të ndodhë me minoritetit.

“Jam skeptike ndaj politikanit të majtë Albin Kurti. Do të shohim sa do të ketë mundësi t’i mbajë premtimet. Disa sfida kryesore janë zgjedhja e presidentit dhe dialogu me Serbinë.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re