Ish-deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, i ftuar në studion e lajmeve të Ora News, komentoi datën 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Boçi u shpreh se ajo ngjarje ishte me dimensione ndërkombëtare, pasi Shqipëria ishte vendi i fundit që rrëzoi sistemin komunist.

“Ngjarja e 20 shkurtit ka pasur dimension ndërkombëtar. Dinamika e ngjarjeve ka qenë gjakatare dhe agresive. Asnjë nga personat që kanë qenë në atë ngjarje nuk e kishin të sigurtë të nesërmen”, u shpreh Boçi.

Sipas tij, protesta e studentëve e dy viteve më parë, u shua pasi pushteti ushtroi presion ndaj studentëve dhe prindërve të tyre.

“Struktura e shpresës në momentet e rrëzimit të regjimit nuk është e barabartë me strukturën e shpresës për kohën ku jetojmë sot. Nëse në dhjetor të 1990 kërkesa politike ishte shumë e madhe, në protestën e studentëve në 2018 kërkesa politike ishte shumë e hapur. Ishte një lëvizje që u ndërpre në mënyrë denatyrale që nuk e arritën dot në 1990. Janë bërë presione të ndryshme ndaj studentëve dhe prindërve. Të gjitha këto përbën setin e atyre mekanizmave u rimorën dhe u rishfaqën në 2018, për të mbytur që në fillesat e saj një lëvizje që kishte qëllime politike, por që u synua të mbytej”, shtoi ish deputeti demokrat.

Më tej, Boçi paralajmëroi rinisjen e protestave të studentëve. Ai tha se Partia Demokratike është në kontakt të vazhdueshëm me studentët. Atyre nuk u janë plotësuar kërkesat, ndërsa shtoi se protestat mund të rikthehen në çdo moment.

“Nuk mund të themi që shpresa në demokraci lind nga një drejtim. Krijimi i shpresës është alternativa që ekziston tek opozita. PD ka qenë gjithmonë afër interesave të grupeve të caktuara. Ajo lëvizje e studentëve është e gatshme të shpërthejë, studentët janë aty, pakënaqësia është e madhe. Asnjë kërkesë e tyre nuk është e plotësuar. Nuk është habi që të kemi rinisje të protestave të studentëve”, tha Luçiano Boçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re