Ish deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, poston thirrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, lidhur me rrezikun nga Koronavirusi.

Përmes një postimi në Twitter, Tedros Adhanom Ghebreyesus u bën thirrje të gjitha shteteve tl mobilizojnë planet e tyre.

Sipas tij, në disa vende niveli i impenjimit politik dhe veprimet që dëshmojnë këtë angazhim, nuk përputhen me nivelin e kërcënimit me të cilin të gjithë përballemi.

“Mesazhe nga drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus për rrezikun nga Koronavirusi.

Ne u bëjmë thirrje liderve të shteteve, që të mobilizojnë planet e tyre, duke koordinuar cdo pjesë të qeverisë, jo thjesht ministrinë e shëndetësisë- siguria, diplomacia, financat, tregtia, transporti, informacioni e më shumë- e gjithë qeveria duhet të përfshihet.

Ne jemi të shqetësuar se në disa vende, niveli i impenjimit politik dhe veprimet që dëshmojnë këtë angazhim, nuk përputhen me nivelin e kërcënimit me të cilin të gjithë përballemi. Ky nuk është ushtrim stërvitor! Nuk është koha për të hequr dorë! Nuk është koha për justifikime! Kjo është koha për të hequr cdo pengesë”, thuhet në mesazhin e kreut të OBSH.

Paraditen e sotme, po Bardh Spahia publikoi një audio-përgjim, ku shfaqej drejtoresha e një qendre shëndetësore e cila pranonte se nuk kishte maska, doreza dhe dezifektantë si masa paraprake ndaj Koronavirusit.

Në Shqipëri deri më sot nuk ka konfirmime për persona të prekur nga coronavirus, por kjo ka ngritur dyshime se përse në vendin tonë nuk ka asnjë rast, në një kohë kur mijëra shtetas vijnë çdo ditë nga vendet e prekura nga ky virus.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri ka deklaruar se kjo ende nuk dihet, por duhet të kemi besim tek institucionet.

“Nëse do kemi raste, sigurisht ato do gjenden. Kjo është gjëja e parë që dua të nënvizoj. Pse nuk kemi ende raste? Këtë nuk e dimë ende, ne jemi duke e studiuar”, – tha Raul Gonzales, drejtori i OBSH në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re