Spitali i Traumës apo siç njihet ndryshe Spitali Ushtarak në Tiranë, do të drejtohet nga ish deputetja dhe doktoresha Edlira Bode.

Ajo është prezantuar ditën e djeshme në mjediset e spitalit ku u njoh me stafin dhe personelin që punon në këtë spital, i cili është i një rëndësie të veçantë për sistemin shëndetësor në vend.

Emërimi i saj në krye të këtij institucioni shëndetësor duket një zgjedhje e zgjuar nisur nga shkollimi, edukimi dhe eksperienca e shkëlqyer e znj.Bode brenda dhe jashtë vendit.

Edlira Bode gjatë viteve 2017 – 2021 ka mbajtur mandatin e Deputetes në Kuvendin e Shqipërisë për Qarkun e Korçës, si anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, periudhë gjatë së cilës ka qenë mbështetëse dhe promovuese e një sërë ligjesh të lidhura me shëndetin, profesionet mjekësore dhe mbrojtjen sociale.

Bode ka spikatur për aftësitë e saj si një menaxhere e shkëlqyer dhe padyshim pritet që me eksperiencën e saj t’i japë një hov të ri Spitalit të Traumës.

Kush është Edlira Bode?

Zj. Edlira Bode ka lindur në Bilisht, Devoll, më 19 Prill 1973. Ajo është e martuar me z. Adi Hoxha dhe kanë një vajzë që quhet Dea.

Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës dhe ato pasuniversitare në otorinolaringologji në Universitetin e Genova-s, Itali, duke marrë titullin Mjeke Specialiste Otorinolaringologe.

Ka shërbyer, për disa vite, si Mjeke e Përgjithshme dhe e Familjes pranë Shërbimit Shëndetësor Parësor në qytetin e Bilishtit dhe në disa qendra shëndetësore të Rrethit të Devollit.

Në vitet 2008 – 2016 ka punuar si Mjeke Specialiste Otorinolaringologe në Spitalin Rajonal të Korçës.

Zj. Bode ka drejtuar në vitet 2015 – 2016 Urdhrin e Mjekëve për Qarkun e Korçës, në vitet 2016 – 2017 Spitalin Rajonal të Korçës dhe në vitet 2017 – 2021 ka mbajtur mandatin e Deputetes në Kuvendin e Shqipërisë për Qarkun e Korçës, si anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, periudhë gjatë së cilës ka qenë mbështetëse dhe promovuese e një sërë ligjesh të lidhura me shëndetin, profesionet mjekësore dhe mbrojtjen sociale. Që prej tetorit 2021 ajo drejton Spitalin Universitar te Traumës në Tiranë.

Angazhimin politik e ka filluar si anëtare e Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe në Tetor 2016 zgjidhet Sekretare Organizative e PS për Bashkinë Korçë.

Zotëron shumë mire gjuhën italiane dhe atë angleze.(TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re