Ish-Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith u deklarua në favor të idesë për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, sipas mediave të Prishtinës.

“Është koha që të jemi pragmatikë. Kjo histori ka zgjatur një kohë të gjatë dhe ende nuk ka pajtim. Por ky (shkëmbimi i territorit) mund të ndodhë vetëm nëse e gjithë shoqëria e mbështet. Le të shqyrtohet si ide”, ka thënë Feith për radion publike holandeze.

Megjithatë, ai tha se mund të jetë një shumësi problemesh me këtë plan, sidomos kur bëhet fjalë për minoritetet në të dyja anët e lumit Ibër, precedent i cili mund të shkaktojë probleme jo vetëm në Ballkan me Bosnjë, por edhe me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Megjithatë, Feith arriti në përfundimin se shkëmbimi i territoreve mund të sjellë më shumë stabilitet.

Ndërkohë, Presidenti Thaçi u ka dërguar një mesazh publik atyre që i quan “skeptikët marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë”, ku sipas tij korrigjimi i kufijve “parashikon njohjen zyrtare të Kosovës nga Serbia dhe aneksimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, komunat në jug të Serbisë.

Nga ana tjetër, Presidenti Vuçiç tha më parë se arritja e një marrëveshjeje midis Serbisë dhe Kosovës duhet të përfshijë garanci të qarta për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian në vitin 2025.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re