Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder tha se Turqia ashtu si në negociatat lidhur me dërgesat aktuale të drithit ka ndihmuar shumë për përfundimin e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Pas takimit që zhvilloi me presidentin rus Vladimir Putin javën e kaluar në Moskë, Schröder dha intervistë për revistën “Stern” e cila u publikua sot.

Ai tha se Kremlini dëshiron “zgjidhje të negociuar”. Schröder tha se “Në mars në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës pati një qasje negociuese si ajo në Istanbul. Turqit kanë ndihmuar shumë ashtu si në negociatat aktuale lidhur me dërgesat e drithit. Marrëveshja e drithit është suksesi i parë. Ndoshta kjo mund të shndërrohet dalë ngadalë në armëpushim”.

“Për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, të dy palët duhet të bëjnë lëshime”, theksoi Schröder duke shtuar se “Është një gabim i madh që lëshimet e mundshme të Ukrainës të njollosen paraprakisht si një paqe të diktuar e Rusisë”.

Schröder tërhoqi vëmendjen mbi përpjekjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për këtë çështje dhe tha se “Përpjekja e presidentit të Türkiye-s Erdoğan më duket e mirë”.

Më tej ish-kancelari gjerman vuri në dukje se pa mbështetjen e amerikanëve nuk do të mund të ketë “zgjidhje të negociuar”.

Në pyetjen se përse nuk ka vënë distancë ndaj presidentit rus Putin, Schröder u përgjigj: “Unë e kam dënuar luftën, ju këtë e dini. Por, a siguron vërtet dobi për dikë vendosja e distancës personale ndaj Vladimir Putinit?”.

Schröder kërkon përdorimin e “Rrjedhës Veriore 2”

Në një vlerësim për zvogëlimin e dërgimit të gazit nga Rusia në Evropë nëpërmjet gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1”, Schröder tha se “Kremlini nuk ka ndonjë deklaratë politike për të pakësuar rrjedhën e gazit. Kjo më shumë është një problem teknik dhe burokratik nga të dyja palët. Dhe fajin ia hedhin njëri-tjetrit”.

Për të parandaluar situatën e vështirë për kërkesën e gazit në Gjermani, Schröder rekomandoi përdorimin e linjës së gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”.

Duke vënë në dukje se kjo linjë e gazsjellësit ka përfunduar, Schröder tha se “Nëse nuk dëshironi të përdorni ‘Rrjedhën Veriore 2’, duhet të përballeni me pasojat”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, më 22 shkurt 2022 dha urdhër për ndalimin e procesit të certifikimit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2” pasi Rusia njohu rajonet separatiste të ashtuquajturat Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re