Deputeti Ralf Gjoni, si ish- krahu i djathtë i Ilir Metës, në kohën kur ai ishte kryetar Kuvendi, ka komentuar “luftën” e presidentit me kryeministrin Edi Rama.

Ai është i bindur se kjo çështje “do të përfundojë keq”.

“Rama batutat i qan, shtetin nuk di ta bëj. Historia 20- vjeçare e dy shokëve socialistë, që herë duhen, herë urrehen me njëri-tjetrin, shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës.

Kam frikë se do përfundojë keq kjo historia e dy shokëvë që nuk i bën aspak mirë Shqipërisë”, tha ai në një intervistë për Report TV.

Duke e vënë veten në vendin e këshilltarit të presidentit Meta, ai tha se nuk do i kishte rekomanduar që t’i dërgonte letrën komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, lidhur me ngërçin në Kushtetuese.

Ai thotë se shteti flet me anë të institucioneve, jo me anë të letrave.

“Do i kisha rekomanduar, që nuk i takon KE të merret me çështje të brendshme. Çfarëdo letrash që mund të shkruaj presidenti, nuk pijnë shumë ujë. Shteti flet përmes Parlamentit”, tha Gjoni.

Gjoni, ka komentuar edhe popozimin e bërë ditën nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sa i përket Reformës Zgjedhore.

Sipas tij, këto propozime nuk japin një zgjidhje të dy problemeve me të cilat përballen shqiptarët, që janë shit-blerja e votës dhe mosbesimi tek institucionet, teksa ka komentuar me ironi edhe senatin që Basha kërkon.

“Nuk e shpjegoj dot punën e Bashës. Nuk është në detyre, por ka pushtet se i ka hallet e veta në rregull, ndërron edhe shtëpi private duke qenë në opozitë dhe merr vilë. Nuk synoj unë atë.

Nuk mendoj që një dhomë e dytë do të zgjidhte hallin e madh, që është mosbesimi te institucioni i votës.

Këto probleme janë kryesore. Kush do jetë senatori i parë? Sali Berisha?! Sa shpresë jep opsioni i rehabilitimi i disa pleqve të politikës shqiptarëve.

Nuk e kam te mosha biologjike, por politike, se po të jetë për ashtu, problemi i listave tona kanë qenë kalamajtë.

Kemi të bëjmë me emra që kanë që nga 1990 në politikë, nuk është kjo alternativa.

S’e s’kuptoj pse duhet të vinte sot në mënyrë të befasishme ky propozim.

Ne flasim për hapje listash, këta flasim hajde bëjmë senat”, tha Gjoni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re