Ish-kryeministri libanez, Saad Hariri, përkujtoi 16-vjetorin e vrasjes së babait të tij, duke kërkuar dorëzimin e njërit nga vrasësit e tij.
Salim Ayyash, vendndodhja e të cilit nuk dihet, u dënua në dhjetor të vitit të kaluar në mungesë me pesë burgime të përjetshme për rolin e tij qendror në vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri në vitin 2005.
Duke folur në një fjalim televiziv, Hariri tha se pikëllimi i libanezëve për babanë e tij po rritet çdo vit.
Ai theksoi se edhe pas 16 vitesh, ata që “besuan se ishin më të mëdhenj se vendi” nuk mund ta harronin babanë e tij dhe “ende kanë frikë nga projekti i tij i vërtetë për vendin”.
Hariri bëri thirrje për kthimin e Ayyash, një anëtar i grupit Hezbollah. “Gjykata Speciale e Libanit solli një vendim kundër Salim Ayyash, një nga vrasësit e kryeministrit të ndjerë. Ky vendim duhet të zbatohet, dhe Ayyash duhet të dorëzohet, pa marrë parasysh sa zgjat”, tha ai.
“Vendimi kundër Ayyash do të zbatohet. Atentatet, të cilat duhet të marrin fund, gjithashtu do t’u vijë fundi. Përndryshe, është e pashmangshme që ngjarjet do të përshkallëzohen”, tha Hariri, duke prekur gjithashtu krizën politike në vend që vazhdon prej muajsh.
Duke shtuar se ata që parandalojnë formimin e qeverisë së re kanë parandaluar zbatimin e reformave dhe thelluar krizën ekonomike, Hariri theksoi se ai nuk do të heq dorë nga përpjekjet e tij për të shpëtuar Libanin.
Hariri u takua me Presidentin francez Emmanuel Macron në Paris gjatë javës së kaluar për të diskutuar problemet e brendshme me të cilat përballet gjatë formimit të qeverisë.
Tetorin e kaluar, Presidenti i Libanit, Michel Aoun caktoi Haririn, udhëheqësin e Lëvizjes së Ardhmërisë, për të formuar qeverinë e re të vendit, më pak se një vit pasi qeveria e fundit e Haririt dha dorëheqjen.
Hariri ka shërbyer si kryeministër dy herë, nga 2009 në 2011 dhe nga 2016 deri në janar.
Libani nuk arriti të formojë qeveri të re që kur qeveria e Hassan Diab dha dorëheqjen gjashtë ditë pas shpërthimit katastrofik i cili tronditi portin e kryeqytetit Bejrut gushtin e kaluar, duke vrarë mbi 200 njerëz.
Atentati ndaj ish-kryeministrit
Më 14 shkurt 2005, Rafik Hariri, u vra me një makinë bombë që shënjestroi autokolonën e tij në Bejrut.
Djali i Haririt, Saad, pasoi babanë e tij më vonë atë vit pasi fitoi zgjedhjet.
Në vitin 2007, u formua një Tribunal Special i Libanit për të hetuar vrasjen e Haririt të vjetër.
Në 2011, gjykata lëshoi urdhër arresti për katër anëtarë të Hezbollahut të dyshuar për përfshirje në krim.
Hezbollah ka refuzuar deri më tani të dorëzojë të dyshuarit.
