Ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert u bëri thirrje liderëve botërorë që të qëndrojnë larg kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe të tregojnë “përbuzjen” e tyre për planin e qeverisë së tij për të reformuar në mënyrë drastike gjyqësorin.

“Çdo lider që e përcakton veten si mik i Izraelit duhet të kundërshtojë qeverinë izraelite. Qeveria e Izraelit është anti-izraelite dhe ju bëj thirrje që ta përbuzni kryeministrin”, tha Olmert në një intervistë për TV izraelit Channel 12.

Ai vlerësoi se Izraeli “nuk mund të përfaqësohet nga një person që do të shkatërrojë themelet demokratike të shtetit”.

Koalicioni i Netanyahut, i përbërë nga parti ultra-nacionaliste dhe ultra-ortodokse hebreje, po ndjek një plan reformash gjyqësore për të dobësuar Gjykatën e Lartë dhe për t’i dhënë qeverisë kontrollin mbi emërimin e gjyqtarëve dhe parlamentit për të mbrojtur ligjet nga shqyrtimi gjyqësor.

Koalicioni pretendon se reforma duhet të ishte zbatuar shumë kohë më parë për të kufizuar pushtetin e tepruar të gjykatës. Kritikët, megjithatë, paralajmërojnë se kjo do të shkatërrojë sistemin e ndjeshëm të kontrollit dhe balancimit të pushtetit duke e përqendruar pushtetin në duart e shumicës parlamentare.

Ata thonë gjithashtu se është një përpjekje e Netanyahut, i cili po gjykohet për korrupsion, për t’ju shmangur drejtësisë.

Qindra mijëra izraelitë kanë protestuar gjatë dy muajve të fundit kundër reformës.

Udhëheqësit e kompanive të teknologjisë së lartë, laureatët e çmimit Nobel, ekonomistë dhe zyrtarë të shquar të sigurisë kanë folur kundër tij, rezervistët ushtarakë kanë kërcënuar të largohen nga detyra, madje edhe aleatët më të mëdhenj të Izraelit, përfshirë SHBA-në, i kanë kërkuar Netanyahut të ngadalësojë shpejtësinë.

Të gjitha përpjekjet e presidentit izraelit Isaac Herzog për të ndërmjetësuar një kompromis nuk kanë dhënë fryte. Të mërkurën, Herzog paraqiti një propozim kompromisi që Netanyahu dhe partnerët e tij të koalicionit e refuzuan shpejt.

Marrëdhënie të këqija

Olmert tha se ai mbështeti propozimin e Herzogut dhe drejtuesit e partive opozitare gjithashtu e mbështetën atë.

Ish-kryeministri i Izraelit vlerësoi gjithashtu se Netanyahu do të pësojë një “krizë nervore”. Marrëdhëniet e Olmert me Netanyahun nuk kanë qenë të mira më parë.

Në vitin 2022, një gjykatë vendosi në favor të familjes Netanyahu që paditi Olmert për shpifje dhe ai duhej t’i paguante 28,000 dollarë sepse tha në dy intervista në 2021 se Netanyahu, gruaja e tij Sara dhe djali Yair ishin të sëmurë mendor.

Olmert iu bashkua protestës kundër reformës dhe në demonstratat në Tel Aviv tha se është e nevojshme të kalohet në fazën tjetër, në fazën e luftës dhe se lufta nuk duhet të bëhet me fjalime, por ballë për ballë.

Partia konservatore Likud e Netanyahut paditi Olmert për nxitje të dhunës mbi deklaratën.

Olmert ishte kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2009. Mandati i tij përfundoi më herët sepse u shpall fajtor për korrupsion dhe u dënua me 16 muaj burg në vitin 2014 për mashtrim.

Ai i bëri thirrje veçanërisht kryeministrit britanik Rishi Sunak që të qëndrojë larg Netanyahut. Sunak është planifikuar të presë Netanyahun në javët e ardhshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re