Skip to content

Ish-kryeministri suedez përfundon në Shkodër, poston një foto dhe komenton edhe Ditmir Bushati

Biseda vere, jo politike. Mos prisni diçka për Shkodrën politike, po për atë historike. Carl Bildt është një personazh i çmuar i politikës europiane.

Ai ka shërbyer si kryeministër i Suedisë në vitet 1991-1994 dhe si ministër i Jashtëm në vitet 2006-2014, ndërsa sot është bashkë-kryetar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme.

Bildt duket se këtë verë një udhëtim e ka çuar në Shkodër, ku ka postuar një foto ku shkruan: “I ndodh njeriut të përfundojë në Shkodër. Por ia vlen është një qytet interesant”.

Pas pak minutash ka reaguar ish-ministri i Jashtëm, me origjinë shkodrane, Ditmir Bushati, duke shkruar: “Shkodra është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë. Një qytet që kombinon trashëgiminë astro-hungareze me atë Veneciane dhe otomane. Plus atë të socializmit sigurisht. Ka pafund gjëra për të parë në qytet dhe zonat përreth”.

Bushati para pak ditësh u shkarkua nga detyra për Shkodrën, por në të vetmin koment që ka dhënë për median ka thënë se, nuk janë ofiqet që e pengojnë të vazhdojë ta mbështesë Shkodrën. Dhe mesa duket ky ishte një rast për ta promovuar atë!