Ish-kryeministri francez Manuel Valls ka konfirmuar se do të kandidojë për kryebashkiakun e Barcelonës vitin e ardhshëm, siç tha ai, për të shpëtuar kryeqytetin katalanas nga përkeqësimi i mëtejshëm.

Duke folur në katalanisht dhe spanjisht në Barcelonë, Valls, 56 vjeç, i lindur në këtë qytet, tha se dëshiron të luftojë pasigurinë dhe pabarazinë, ndërsa në të njëjtën kohë të stimulojë ekonominë.

Valls, i cili u përpoq pa sukses vitin e kaluar për të kandiduar për president në Francë në emër të Partisë së tij Socialiste, nga e cila u tërhoq në ndërkohë, është një kundërshtar i fortë i shkëputjes së Katalonjës nga Spanja.

Ai zyrtarisht konfirmoi të martën se ai dëshiron të bëhet kryebashkiak i Barcelonës dhe do të kandidojë për zgjedhjet që do të mbahen më 26 maj 2019.

Për shkak të kësaj, Valls do të japë dorëheqjen javën e ardhshme si deputet në parlamentin francez.

Duke folur për Barcelonën, ai tha se ky qytet është në një gjendje të rënduar, veçanërisht kur është fjala për ndërtimin e banesave, rregullimin e hapësirës publike, turizmin dhe pasigurinë në lagjet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re