Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka hedhur kritika të forta ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama. Hasani e cilësoi Ramën si ofruesin e parë të idesë së korrigjimit të territoreve.

“Edi Rama ishte pjesë e projektit për copëtimin e Kosovës, ashtu siç po dalin faktet historike, në fakt ofertuesi i parë ka qenë ai”. Më pas i ka futur në lojë këta tanët. Ideja e parë ka lindur nga Edi Rama dhe lidhet me Gjykatën Speciale dhe naivitetet ose iluzionet quaji si të duash, por akterët kryesorë të jashtëm që kanë shkruar dhe po shkruajnë rreth kësaj, e thonë këtë”, ka thënë Hasani.  

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese shtoi se pika e marrëveshjes së Washingtonit për moratorium për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, nuk e dëmton vendin pasi Serbia ishte shumë më e suksesshme në fushatën e saj për çnjohje.

”Përse nuk shoh të keqe të kjo?Është një fjalë popullore thotë “i laguri për shi nuk e ka dert”, edhe ashtu aplikonim por nuk na pranonin, Serbia kishte sukses, kjo marrëveshje ia ka ndalë turrin. Ne ishin ku ishim, kishim vite që po vendnumëronim si pasojë e politikave të brendshme politike dhe sjelljeve të lidershipit të Kosovës në imazhin e ndërkombëtarëve për të gjitha, me viza me të gjitha. 

Në gjendjen që e kemi si Kosovë dhe ne nuk humbëm, pse mund të thuash që kemi humbur ne, kur probabiliteti është i madh që ne edhe një vit nuk do të kishim pasur asnjë anëtarësim askund.Miqtë tanë iu kanë thënë që mos aplikoni nëpër këto vende.Unë e di – kur kam qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kemi provuar në disa vende që ta anëtarësojmë Gjykatën Kushtetuese, ku Serbia dhe Rusia kanë ndikim dhe nuk kemi mundur. Sepse janë disa procese që duhet fuqitë e mëdha të merren vesh në korniza të fuqishme, sepse vetë fakti që reagimi rus nuk është reagim negativ, ne duhet ta kuptojmë se bëhet fjalë për pazar global” ka vijuar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Në Rubikon me Adriatik Kelmendin Hasani u pyet edhe për atë çfarë pritet të ndodhë brenda këtij viti deri në skadimin e pikës për moratorium. Ish-kryetari Hasani tha se pas kësaj marrëveshje nuk ka kthim prapa.

“Status quo nuk ka, kthimi në gjendjen e mëparshme është kapitull i mbyllur, unë besoj që fizibiliteti kryhet. Besoj që në planin e Mini Schengenit lëvizet përpara, pra janë shenja të prekshme që lidhen me të”, ka theksuar ai. /Klan Kosova/

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re