Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani është i mendimit se sistemi aktual zgjedhor është thelbi i korrupsionit të zgjedhjeve dhe pushteteve abuzive në Shqipëri dhe se kjo nuk ndryshon për sa kohë nuk do të ketë pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas Manjanit, problemi nuk është vetëm rrëzimi i Ramës nga pushteti, por edhe heqja e monizmit.

Postimi i plotë i Manjanit:

Që të kuptohemi.

Hajduti më i madh i zgjedhjeve është sistemi zgjedhor. Blerja e votës është një devijim i rëndë i konceptit të demokracisë, por sistemi është hajduti më i madh.

-Copëzimi i pabarabartë i votës në territor, dmth ndarja e saj sipas qarqeve me numër të ndryshëm votash dhe mandatesh;

– loja me numrat tek e çift të mandateve në qarqe,

– metoda D’Hond e përllogaritjes për ndarjen e mandateve;

dhe

– ndalimi arbitrar (në mes të garës dhe pa konsensus) i garimit me koalicion listash;

Janë elementët e sistemit zgjedhor që legjitimojnë vjedhjen spektakolare të zgjedhjeve.

Këto elementë, në sisteme të ndryshme elektorale, njihen si bonuse për partinë e parë. Ndërsa në ligjin tonë këto janë shkruar për të legjitimuar VJEDHJEN e mandateve pa vota.

Pavarësisht se nuk të voton 50%+1e popullit, me këto elementë partia e parë sundon e vetme, sepse merr shumicën e vendeve në Parlament. Ja pra përse themi se sistemi në efekt është mazhoritar.

Kështu që partisë moniste që sundon i duhet vetëm të mbledhë vota sa për të qenë parti e parë dhe të mbajë kundërshtarët të përçarë.

Mjafton vetëm kaq dhe partia e parë i merr të gjitha e vetme!!! Madje mund të rrijë gjatë kështu…

Ne të tjerëve na rroftë demokracia dhe vota e lirë!!!

Prandaj duhet një sjellje popullore e fortë ndaj kësaj situate, sepse nuk është vetëm heqja e Ramës, por e MONIZMIT.

Vetëm me pjesmarrje masive ulen ndjeshëm efektet e vjedhjes ligjore që do të bëjë monizmi. Vetëm kështu vota merr vlerën reale dhe jep efektet e duhura.

Nuk ka rrugë tjetër, përveç PJESMARRJES.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re