Ish-ministri i Jashtëm dhe i Bujqësisë, Edmond Panariti, nëpërmjet një shënimi në faqen e tij në FB ka argumentuar me shifra dhe nëpërmjet një tabele, se rrënimi i ekonomisë shqiptare dhe braktisja e vendit faktikisht ka nisur më herët se shpallja e pandemisë nga virusi COVID-19.

Sipas tij pikiata nuk është ndalur që nga viti 2017, i cili njihet edhe si fillimi i “mandatit të tepsisë” së Edi Ramës

“Të gjithë treguesit ekonomikë, financiarë, shoqërore, demografikë dhe mbi të gjitha ata demokratikë të vendit, e filluan rrokullisjen kur një parti e vetme “zaptoi” sistemin dhe institucionet pa votë dhe pa mbështetje popullore.

Viti i fillimit të pikiatës është viti 2017, që është edhe viti i tepsisë dhe i timonit!

Pikiata nuk ka të ndalur dhe që prej atëherë vendi po “zhytet” dhe po fundoset.

Këtë e dëshmon INSTAT në statistikat e popullatës së vendit të janarit të 2020, kur pandemia ende nuk kishte nisur.

Që këtë fillim viti, INSTAT në të dhënat e tij provon se popullsia e Shqipërisë po rrudhej, mpakej dhe plakej me shpejtësi të frikshme.

Kjo ka vetëm një arsye, vetëm një shpjegim!

Braktisja e vendit dhe ulja e rritjes natyrore të popullsisë së tij është krye- shenja e mungesës së shpresës së shqiptarëve nga dështimi ekonomik, papunësia dhe izolimi Evropian i vendit.

Dhe kjo nuk do të ndalë, për sa kohë që do të ruhet kjo konjukturë bllokuese dhe asfiksuese e vendit..

25 Prilli është shansi për të ndryshuar këtë “status quo”, e cila po mban peng në mënyrë të padrejtë dhe mizore Shqipërinë dhe të gjithë ne”, shkruan Panariti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re