Fatmir Muhaj, banor i fshatit Tërbaç në Qarkun e Vlorës, rrëfen një histori tronditëse mbi betejën e tij shumëvjeçare për pronën e trashëguar familjare, një betejë që e ka çuar deri në burg.
Sipas Fatmir Muhajt, dënimi i tij për “pushtim toke” erdhi në vitin 2013, me një vendim nga dy gjyqtarë Mirela Mishgjoni dhe Saimir Saka, të cilët e dënuan me 6 muaj burg.
Ai apeloi vendimin, por në Gjykatën e Apelit u përball me mungesë kuorumi duke i thënë se do ta lajmëronin për zhvillimin e gjyqit me telefon.
“Më pas mora vesh nga vëllai se gjyqi ishte zhvilluar dhe më kishin dënuar. Aty rashë në depresion”, thotë Muhaj.
Muhaj thotë se dosja u çua në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi prishjen e vendimit dhe kthimin në Apel me trup tjetër gjykues.
Më vonë, si pasojë e reformës gjyqësore, Apeli i Vlorës u mbyll dhe çështja u transferua në Tiranë, ku u vendos pushimi për mungesë fakti penal.
Fatmir Muhaj hedh akuza të drejtpërdrejta ndaj individëve që, sipas tij, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga prona e tij.
Ai përmend emrin e ish-kryetarit të bashkisë Himarë Jorgo Goro, i cili ka hartuar një kontratë fiktive për dhënien me qira të pronës ndaj Amanti Kapos, djalit të ish-kryetarit të Komunës Horë Vranisht.
Sipas Muhajt, nga 5 mijë metra katrorë, sipas dokumenteve, janë falsifikuar të dhënat për të kaluar në 45 mijë m², duke e regjistruar tokën në hipotekë si pronë të komunës.
“Deri në vitin 2016 unë kam paguar taksën për këtë tokë. Sot më thonë mos e kalo fare, sepse ua kanë dhënë atyre, shprehet i indinjuar Fatmir Muhaj.
Muhaj thotë për “Tak Fak” se e gjithë kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me pronën, por me një plan më të madh kriminal.
“E kam deklaruar publikisht se në ish-godinat e rezervave të shtetit në Tërbac planifikohet ndërtimi i laboratorit më të madh të drogës në Shqipëri,” deklaron ai, duke e konsideruar këtë si motivin e vërtetë të përplasjes me institucionet.
Së fundmi, Fatmir Muhaj tregon se ka kërkuar dosjen e çështjes së tij nga Vlora në Tiranë dhe ka zbuluar se në dosje mungojnë provat që ai ka dorëzuar ndër vite.
“Kanë zhdukur të gjitha provat që rrëzonin akuzat dhe vërtetonin pafajësinë time. Edhe kallëzimet që kam bërë janë hequr,” shprehet ai.