Alfred Moisu, i cili në 2007 i dha fund krizës parazgjedhore duke ngujuar në Presidencë politikanët e kohës deri në arritjen e një marrëveshjeje është i të njëjtit mendim edhe pas 12 viteve, se zgjidhja duhet të vije nga Kreu i Shtetit.

“Për mendimin tim, Meta duhet të ndërhyjë. Si e vendos dhe si e bën është e drejta e tij sepse atë barrë ka në kurriz. Klasa politike duhet të ndërgjegjësohet se kështu nuk mund të ecë përpara”, deklaroi Moisiu.

Idenë e uljes së palëve në tryezën e dialogut me ndërmjetësimin e të parit të shtetit e ndan edhe ish-Presidenti Rexhep Mejdani: “Teorikisht duhet të ndërhyjë. Praktikisht varet se si është zëri i tij”.

Por, në mungesë të një zgjidhjeje, a duhet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Mejdani shprehet: “Të gjitha opsionet janë të mundshme, por vendimmarrja kryesore është e mazhorancës që qeveris nëse gjykon që vendi mund të kalojë në zgjedhje të parakohshme. Por, për mendimin tim, të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe mundësitë për të gjetur zgjidhje që i shërben qytetarëve, zhvillimit dhe procesit të integrimit ndodhen në tavolinë. Palët duhet të ulen e ta gjejnë zgjidhjen”.

Krahas thirrjes për dialog, ish-Presidenti Mejdani nuk e përshëndet vendimin e opozitës për djegien e mandateve: “Vendim “in extremis”, i paprovuar më parë. Duhej të gjendej zgjidhja, nuk duhej futur fitili tek një zjarr që ndizej”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re