Prokurorët në Guine njoftuan të enjten nisjen e hetimeve gjyqësore ndaj ish-presidentit Alpha Conde dhe ish-zyrtarëve të tjerë të lartë nën dyshimet për kryerje të krimeve gjatë sundimit të tij.

Ish-udhëheqësit po hetohen në lidhje me akuzat për vrasje, bashkëpunim në vrasje, torturë, rrëmbime, grabitje dhe përdhunime, raportoi e përditshmja lokale “Africa Guinee”, duke cituar deklaratën e prokurorit të Gjykatës së Shkallës së Parë, Alghassimou Diallo.

Krimet dyshohet se janë kryer gjatë referendumit kushtetues të vitit 2020, i cili i mundësoi Conde-s të kandidonte për një mandat të tretë dhe zgjedhjet e mëvonshme presidenciale të fituara nga Conde në të njëjtin vit.

Sipas raportit të medias, ish-zyrtarët e tjerë që po përballen me hetimin përfshijnë ish-kryeministren e Conde-s, Ibrahima Kassory Fofana, ish-ministrin e Mbrojtjes, Mohamed Diane dhe disa zyrtarë të tjerë të regjimit të rrëzuar.

Prokurori fton të gjithë viktimat, të afërmit e viktimave dhe në përgjithësi të gjithë personat, strukturat apo subjektet që mund të japin informacione që çojnë në ndjekjen e suksesshme të të dyshuarve të dalin përpara drejtësisë, thuhet në raport.

Hetimet ndjekin udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm Charles Wright. Diallo siguroi se dëshmitarët e mundshëm do të mbrohen gjatë gjithë procedurës.

Personalitetet që përballen me hetimet nuk lejohen të largohen nga territori i shtetit në pritje të hetimeve, thuhet në raport.

Ushtria, e udhëhequr nga koloneli i ushtrisë, Mamadi Doumbouya rrëzoi presidentin Conde 84-vjeç, shtatorin e kaluar.

Fofana shërbeu si kryeministër derisa ushtria organizoi grushtin e shtetit që rrëzoi Conde-n.

Conde u bë presidenti i parë i Guinesë i zgjedhur në mënyrë demokratike në 2010 dhe u rizgjodh në 2015.

Në vitin 2020, ai shtyu ndryshimet kushtetuese që e lejuan atë të kandidonte për një mandat të tretë të diskutueshëm, të cilin ai e fitoi në zgjedhjet të cilat u kontestuan nga opozita për mashtrim.

Demonstratat masive, në të cilat u raportuan dhjetëra protestues të vrarë, shpërthyen pas votimit.
Burimi: AA