Ish-kreu i Interpolit, kinezi Meng Hongwei i cili dha dorëheqjen në tetor, u shpall fajtor për një “shkelje serioze” të disiplinës në Partinë Komuniste të Kinës, tha autoriteti disiplinor i partisë.

Meng, i cili aty nga fundi i shtatorit të vitit të kalar për disa ditë u cilësua si “i zhdukur”, u përjashtua nga partia qeverisëse kineze dhe u privua nga të gjitha funksionet publike, tha Inspektorati Qendror Disiplinor.

Megjithatë, deri më tani, ai nuk e ka braktisur zyrtarisht postin e zv/ministrit të Sigurisë Publike, pavarësisht se është subjekt i një hetimi të brendshëm, raportojnë mediat.

“Meng Hongwei nuk i respektoi parimet e partisë (…), nuk ofroi të dhënat e nevojshme personale dhe refuzoi të zbatojë vendimet e Komitetit Qendror të partisë”, tha inspektoriati në një deklaratë.

Termi “shkelje e rregullave disiplinore” zakonisht është një referencë ndaj korrupsionit.

Në tetor, Ministria e Sigurisë Publike njoftoi se Meng “mori një ryshfet” dhe ishte “i dyshuar për shkelje të ligjit”.

Ky njoftim erdhi dhjetë ditë pas “zhdukjes” së Meng, të cilën gruaja e tij e paraqiti si rast për autoritetet franceze në fund të shtatorit. Në atë kohë, kreu i Interpolit, Meng u largua nga selia e organizatës në Francë dhe shkoi në Kinë.

Meng u emërua si kreu i Interpolit në fund të vitit 2016, dhe Pekini e përshëndeti atë.

Ai nuk është zyrtari i parë i lartë kinez që bie viktimë e fushatës kundër korrupsionit që presidenti Xi Jinping ka nisur që nga inaugurimi i tij në 2012.

Kjo fushatë është e popullarizuar në publik dhe deri më tani janë dënuar më shumë se një milion e njëqind zyrtarë. Megjithatë, dyshohet se Xi përdor këë fushatë për të hequr kundërshtarët e tij në parti.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re